35 vjet pavarësi, liderët politikë me mesazhe për drejtësi, barazi dhe bashkëjetesë

Një e nesërme më e denjë e të rinj që nuk largohen nga vendi. Ky ishte mesazhi që bashkoi zërat politik në 35 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Krerët shtetërorë dhe përfaqësuesit e partive politike uruan qytetarët duke përcjellë mesazhe konkrete për të ardhmen.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi se pavarësia nuk është një e kaluar e përfunduar, por një detyrim i përhershëm i çdo gjenerate për ta ruajtur, ndërtuar dhe zhvilluar më tej shtetin.

“Vizioni ynë është një shtet i qëndrueshëm dhe i avancuar evropian, por mbi të gjitha, një atdhe ku të rinjtë nuk do të bëjnë valixhet për t’u larguar, por do të krijojnë familje këtu dhe do të ndërtojnë të ardhmen,” porositi Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.

  • Vizioni ynë është një shtet i qëndrueshëm dhe i avancuar evropian, një atdhe ku të rinjtë nuk do të bëjnë valixhet për t’u larguar.

Ndërkohë VMRO-DPMNE uron që shteti të bëhet vend ku të rinjtë qëndrojnë sepse këtu e shohin ëndrrën e tyre dhe ku çdo familje do të ketë arsye të besojë për një të nesërme më të mirë. Kreu i partisë dhe kryeministri Hristijan Mickoski i uroi qytetarët nga Ohri.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gëzuar festën dhe rroftë përgjithmonë Maqedonia!,” uroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kryeparlamentari Afrim Gashi, uroi 35 vjetorin me mesazh për përgjegjësi dhe punë të përbashkët. “Me besim te qytetarët, me përgjegjësi ndaj shtetit dhe me punë të përbashkët, ta ndërtojmë shtetin që duam t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme.” – Afrim Gashi, Kryeparlamentar.

VLEN, në mesazhin për 35-vjetorin e Pavarësisë, thekson se kjo është një ditë e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhës, fesë apo bindjeve politike.

Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, uroi qytetarët me mesazhin për ndërtimin e një shteti evropian me sistem që funksionon dhe drejtësi qe vlen njësoj për të gjithë.

“Të ndërtojmë Maqedoninë evropiane ku të rinjtë do të munden të krijojnë shtëpi dhe familje, të kenë punë me dinjitet, të kenë sukses me dije dhe punë dhe të kenë mundësi evropiane në shtëpi.” – Wizart: Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

  • Të ndërtojmë Maqedoninë evropiane ku të rinjtë do të munden të krijojnë shtëpi dhe familje, të kenë punë me dinjitet…

Kyetari i BDI-së, Ali Ahmeti, shoqëroi uratat e 35 vjetorit me thirrje për shmangie të politikave përçarëse, duke theksuar se shqiptarët dhe komunitetet e tjera për shumë vite nuk u ndjenë pjesë e barabartë e shtetit.

“Ky shtet nuk u ndërtua në një ditë dhe as vetëm nga një komunitet. Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, nuk u ndjenë pjesë e barabartë e tij. Shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan se do ta ndërtojnë bashkë këtë shtet.” – Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

  • Ky shtet nuk u ndërtua në një ditë dhe as vetëm nga një komunitet. Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, nuk u ndjenë pjesë e barabartë e tij.

Më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët e Maqedonisë votuan në referendum për një shtet të pavarur dhe sovran. Shumica dërrmuese u shprehën pro pavarësisë, gjë që i hapi rrugë krijimit të shtetit të pavarur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button