4 muaj nga lufta Izrael- Hamas, në horizont nuk shihet një armëpushim afatgjatë

4 muaj nga lufta Izrael- Hamas, në horizont nuk shihet një armëpushim afatgjatë

Gazetare: Xhesika Sallahi

4 muaj që nga nisja e konfliktit Izrael-Hamas. Plot 124 ditë që kur popullsia civile në Rripin e Gazës vuajnë, vdesin, dhe jetojnë në mes të kaosit. Lufta nisi si pasojë e sulmit të grupit militant terrorist, Hamas, në Izrael ku mbetën të vrarë 1200 vetë dhe u morën peng 250 të tjerë. Më pas, ofensiva ajrore dhe tokësore e sulmeve izraelite, ka vazhduar bombardimet pa ndalim në Rripin e Gazës, duke sjellë një katastrofë njerëzore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, deri tani numri i të vdekurve palestinezë arriti mbi 27 500 vetë. Një e katërta e banorëve të Gazës po vdesin urie dhe 85% e popullsisë është përzënë nga shtëpitë e tyre, me qindra mijëra që kanë mbijetuar në kampet e improvizuara të tendave duke vuajtur një nevojë urgjente të vazhdueshme për ndihma humanitare dhe mjekësore. Në vizitën e fundit të sekretarit amerikan të shtetit, Antoni Blinken, në Lindjen e Mesme, ai deklaroi se ka nevojë urgjente për armëpushim të zgjatur.

“Së bashku me Katarin dhe Egjiptin, ne parashtruam, një propozim serioz që kishte për qëllim thjesht zgjerimin e marrëveshjes së mëparshme. Në Gaza, siguria, rindërtimi humanitar, qeverisja, të gjitha sjellin sfida reale. Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për të arritur një pauzë të zgjatur që nxjerr pengje jashtë, që merr më shumë ndihmë në atë që sjell qetësi për civilët e Gazës dhe kjo e mban diplomacinë të ecë përpara drejt një rajoni të integruar dhe më të sigurt”, tha Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit.

Pavarësisht nga plagët e thella të konfliktit midis Hamasit dhe Izraelit për katër muajt e fundit, shumë banorë ende mbajnë një shpresë për një armëpushim që i jep fund tragjedisë dhe vuajtjeve të tyre. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button