44 ish-deputetë do të marrin apanazh
44 deputetë të përbërjes së kaluar parlamentare fituan të drejtën e pagës së rregullt pas përfundimit të mandatit. Pas miratimit nga Kuvendi, ata do të paguhen në mënyrë plotësuese edhe për tre muaj deri në një vit, si rezultat i të drejtës ligjore për apanazh. Mesatarisht, paga e tyre bruto në muaj do të mbetet e njëjtë si gjatë ushtrimit të funksionit, 100 mijë denarë bruto ose rreth 65 mijë denarë neto.
Të drejtë apanazhi kanë të gjithë ish funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar të cilët pas përfundimit të mandatit nuk kthehen në punët e tyre të mëhershme dhe që supozohet se janë në kërkim të një pune të re.
Javë më parë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi që ish deputetëve do t’u ofrojë vend pune dhe më ketë do të ulen shpenzimet e buxhetit për apanazh.
“Një pjesë e madhe e përbërjes së kaluar të Kuvendit do të ketë ofertë personalisht nga unë si kryeministër që të inkuadrohet në institucionet publike. Muajt e ardhshëm janë për vendime të këtilla dhe besoj se 50-60% e apanazhëve menjëherë do të bien sepse vijojnë angazhime për këto persona”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Gjithsesi, numri i ish deputetëve që kanë kërkuar apanazh nuk është ulur por është më i lartë se ai i ish deputetëve që fituan apanazh në vitin 2017.
Qeveria, nëpërmjet zv/kryeministrit për luftë kundër korrupsionit dhe menaxhimin me resurset njerëzore ka premtuar reduktimin e benefiteve të funksionarëve por nuk dihet nëse heqja e apanazhit është një prej tyre.
Ndërkohë, Kuvendi konstatoi edhe dorëheqjet e deputetëve të kësaj përbërje Igor Durllovski, Bajram Rexhepi, Muhamet Zeqiri dhe Sanja Llukarevska. Përveç Durllovskit, të tre (tashmë) ish deputetët e tjerë do të emërohen në funksione të tjera shtetërore. Në vend të tyre në Kuvend vinë Mirçe Axhioski nga VMRO-DPMNE-ja, Rina Ajdari nga BDI-ja, Mirosllav Jovanoviq dhe Lidija Tasevska nga LSDM-ja.
Fatlume Dervishi