5.5 milionë euro për 35-vjetorin e Pavarësisë, ende pa u bërë e ditur sa u pagua David Guetta
Gazetar Avni Tahiri
Se me sa para shkoi DJ-ji i famshëm David Guetta pas koncertit në Shkup, ende nuk dihet. Por për të gjithë organizimin njëmujor me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut janë shpenzuar rreth 5.5 milionë euro, ose gjithsej 340 milionë denarë.
Shifrat janë bërë të ditura nga zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, sipas së cilës 300 milionë denarë janë siguruar përmes Lotarisë Shtetërore, ndërsa 40 milionë denarë të tjera janë siguruar nga kompani që kanë marrë pjesë në organizim.
Miteva prezantoi edhe detaje për procedurën e përzgjedhjes së organizatorit. Sipas saj, për organizimin e ngjarjeve me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë nuk janë përdorur mjete nga Buxheti i shtetit.
“Për realizimin e ngjarjeve për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit nuk janë shpenzuar mjete nga buxheti. Kostoja e këtyre ngjarjeve nuk i ngarkon qytetarët dhe ky është një informacion lehtësisht i verifikueshëm”tha; Marija Miteva – Zëdhënëse e Qeverisë
Sipas drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, thirrja për organizimin e ngjarjeve ishte bërë nga Lotaria Shtetërore në bazë të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione, jo përmes sistemit të prokurimeve publike. Ndërsa shtoi se të vetmit që iu përgjigjën thirrjes ishin Avalon, përmes kompanisë Stardust, ndërsa një komision i jashtëm me artistë vlerësoi ofertën.
“Ky sponsorizim është dhënë në bazë të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione, dhe jo në bazë të Ligjit për Prokurimet Publike. Bëhet fjalë për mjete në vlerë prej 300 milionë denarësh, të cilat ishin të regjistruara si fitim i pashpërndarë dhe ishin para të kompanisë. Pra, këto janë para të vetë kompanisë, ndërsa kompania është subjekt juridik i veçantë, i ndarë nga Qeveria. Prandaj, këto nuk janë para të buxhetit.”tha; Aleksandar Klimovski – Drejtor i Lotarisë Shtetërore.
Nga LSDM-ja kanë kundërshtuar pretendimin se nuk janë shpenzuar para nga buxheti shtetëror. Ata argumentojnë se nëse Lotaria Shtetërore, e cila është në pronësi të shtetit, ka paguar 300 milionë denarë, atëherë nuk mund të paraqitet festa si krejtësisht pa kosto./Alsat.mk.








