5 të vdekur dhe 119 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri


Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur bilancin e pandemisë në 24 orët e fundit.

Janë 5 viktimat e pandemisë në Shqipëri në 24 orët e fundit, ndërkohë që ka një rritje të lehtë të rasteve pozitivë, me 101 persona.

Gjithsesi të shëruarit janë më të shumtë se rastet e reja, 119 kundër 101, ndërkohë që në spitalet COVID 18 pacientë ndodhen në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është: 51 raste në Tiranë, 10 raste në Lezhë, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Shkodër, 3 raste në Krujë, Durrës, Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Vorë, 2 raste në Kurbin, Elbasan, Kukës, nga 1 rast në Has, Lushnje, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Gramsh, Shijak.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 178 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë me infeksion.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 62-vjeçar nga Gjirokastra, një 66-vjeçar nga Burreli, 72-vjeçar nga Elbasani, një 87-vjeçar dhe një 92 vjeçare nga Tirana.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Shqipëri me COVID-19 janë konfirmuar 9.380 raste nga 62.017 teste të bëra, prej tyre 5.139 janë të shëruar, 3.961 janë raste ende aktive dhe 280 persona kanë humbur jetën.

LEXO EDHE:

Back to top button