6 mijë denarë në ditë për një mjekim anti-kovid në spitalet private

Spitalet private që kanë arritur ujdi me Fondin Shëndetësor po përgatisin hapësirat e tyre për pranimin e pacientëve me koronavirus në faturë të shtetit. Objekti i vjetër i spitalit “Malla Bogorodica” do të jetë gati që nga e hëna të pranoj deri në 100 pacientë në 50 dhomat spitalore. Drejtuesit e Spitalit “Axhibadem Sistina” thonë se Fondi do tu paguaj nga 6 mijë denarë në ditë për një mjekim bazik anti-kovid. Kurse, tarifa private e këtij spitali tek godina e re do tu kushtonte nga 500 euro në ditë për trajtimin e njëjtë. Krye mjekja e repartit Infektiv në këtë spital tha se do kurohen rastet vetëm deri në oksigjeno terapi.

Në partneritet publiko-privat do të marrin pjesë spitalet private ‘Axhibadem Sistina’, ‘Zhan Mitrev’ dhe ‘ReMedika’. Kemi formuar një trup koordinativ që kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët vendosin për pranim të pacientëve dhe për terapitë e tyre, a ne si spitale private do të vijmë në ndihmë me personel mjekësor, me pajisje të kompletuar, ushqim, barëra dhe materiale mbrojtëse – deklaroi Patricia Kallmaris, Infektologe.

Ndërkaq, kapacitetet shtetërore si në klinikat infektive dhe repartet interne po numërojnë në gishta shtretërit e lirë për pacientë që duhet kuruar nga CoVid-19. Brenda dy ditësh edhe Klinika e ORL-së do të nis me punë si qendër për Kovid.

Opozita kritikon pushtetin për keqmenaxhim të situatës, sidomos në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”. Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët tha se ky kompleksi spitalor duhet të jetë zonë e gjelbër për kurim edhe të sëmundjeve tjera.

Ndërsa, kovid qendër e vetme në vend të jetë spitali ‘8 Shtatori’ me të gjitha kapacitetet e tij ku do të trajtohen të gjithë të prekurit me virusin korona, duke bërë riorganizim të kuadrit mjekësor dhe punës brenda spitalit dhe urgjentisht të ndërtohen disa spitale modulare rreth këtij objekti duke rritur kapacitetin e shtretërve dhe të shërbimeve – tha Bekim Tateshi, Koalicioni ASH-AAA.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se 73 pacientë u pranuan në 24 orët e fundit me pasqyrë më të rëndë shëndetësore nëpër klinikat e Shkupit nga gjithsej 476. Ndërkaq, në gjithë vendin në kurim spitalor trajtohen afër 1,300 pacientë apo 6,2% e rasteve aktive që kanë arritur mbi 20 mijë pacientë.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button