Gazetar: Avni Tahiri
Drejtuesit e trotinetëve elektrikë vazhdojnë të mbeten shqetësim për lëvizjet në komunikacion. Vetëm gjatë muajit gusht, në të gjithë vendin, janë konstatuar 606 shkelje nga drejtuesit e mjeteve të lehta elektrike, ndërsa 18 trotinetë elektrik janë konfiskuar për vetëm 30 ditë.
Nga numri i përgjithshëm i shkeljeve, 162 shkelje janë shqiptuar për mosmbajtjen e jelekut reflektues gjatë drejtimit të mjetit të lehtë elektrik gjatë natës, 134 për mosshfrytëzimin e shtegut për biçikleta ose këmbësorë, 59 për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse, 45 për transportimin e dy personave, ndërsa 20 raste kanë të bëjnë me drejtimin e mjeteve të lehta elektrike nga persona të mitur.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 606 shkeljet e muajit gusht janë regjistruar në të gjithë territorin e vendit.
“Numri më i madh i shkeljeve është konstatuar në territorin e qytetit të Manastirit, me gjithsejte 236 raste, pasuar më pas në territorin e Shkupit me 97 raste, në qytetin e Strumicës 82 raste, në Ohër me 57, në Tetovë me 27, në Veles me 18, në Shtip me 13 dhe në territorin e qytetit të Kumanovës janë regjistruar 7 raste. Njësia Mobile për Sigurinë në Trafik ka konstatuar edhe 69 shkelje tjera”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
• Manastir: 236 shkelje, Shkup: 97, Strumicë: 82.
• Ohër: 57 shkelje, Tetovë: 27, Veles: 18.
• Shtip: 13 shkelje, Kumanovë: 7, ndërsa Njësia Mobile për Sigurinë në Trafik ka konstatuar 69 shkelje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se për të gjitha rastet janë ndërmarrë masat përkatëse dhe janë shqiptuar sanksione në përputhje me ligjin. Nga ana tjetër qytetarët kërkojnë rregulla më të rrepta dhe rrugë të veçanta për përdoruesit e trotineteve elektrik.
”Është katastrofë, rrezikojnë sigurinë në trafik por edhe rrezikojnë veten. (0:28 – 0:37)”Duhet të dënohen nëse ka rregullore ligjore duhet të dënohen që të vendoset rregull”, tha një qytetar.
”Vetëm gjoba më të larta pasi nuk kanë as helmeta e asgjë, ja edhe ky me biçikletë njëjtë. Duhet shteti të bëjë rrugë të veçanta ku të lëvizin, e jo vetëm dënime por duhet diçka të bëhet”, tha një qytetar tjetër.
”Mendoj se duhet të kemi rregulla edhe më të rrepta për të gjithë ata që lëvizin pa kontrolle dhe me shpejtësi të lartë e sidomos për ata që janë të mitur”, u shpreh qytetarja.
Problem shtesë mbeten edhe trotinetet elektrikë që jepen me qira në Shkup. Nga Qyteti i Shkupit thonë se ende po shqyrtojnë nëse kompanitë do të duhet t’u përshtaten rregullave të reja dhe të sigurojnë pajisje mbrojtëse, si helmetat dhe jelekët reflektues./Alsat.mk.








