Për të mbuluar shpenzimet mujore, një familjeje katër anëtarëshe këtë muaj i janë nevojitur 69.432 denarë. Shporta e konsumit sipas Lidhjes së Sindikatave është rritur për 757 denarë më në krahasim me muajin e kaluar , kur shpenzimet ishin 68.675 denarë.
Sipas përllogaritjes së Lidhjes së Sindikatave pjesa më e madhe e buxhetit familjar vazhdon të shkojë për ushqim dhe pije 25.259 denarë, ose 227 denarë më shumë se muajin e kaluar. Rritje më të madhe në krahasim me muajin gusht ka te veshjet dhe këpucët. Shpenzimi për këtë kategori është rritur nga 6.511 në 6.799 denarë, pra për 288 denarë. Poashtu rritje ka shënuar edhe transporti. Nga 5.175 denarë në gusht, në shtator kjo kategori arrin në 5.409 denarë, që paraqet një rritje prej 234 denarësh.
Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, nëse shportës së konsumit që ka arritur në 69 e 432 denarë i shtohet edhe qiraja për një banesë prej 60 metra katrorë, atëherë shpenzimet për një muaj për një familje katër anëtarëshe arrin në 80 mijë e 807 denarë.
| Kategoria | Shtator | Gusht |
| Ushqim dhe pije | 25.259 | 25.032 |
| Veshje dhe këpucë | 6.799 | 6.511 |
| Banimi, uji, energjia elektrike dhe ngrohja | 6.379 | 6.379 |
| Higjiena personale dhe mirëmbajtja e higjienës në shtëpi | 2.699 | 2.692 |
| Shëndetësia | 1.196 | 1.196 |
| Transporti | 5.409 | 5.175 |
| Komunikimet | 3.677 | 3.677 |
| Rekreacion dhe kultura | 5.592 | 5.592 |
| Arsimi | 7.192 | 7.192 |
| Restorantet dhe hotelet | 4.130 | 4.131 |
| Mallra dhe shërbime tjera | 1.100 | 1.100 |
| Gjithsej | 69.432 | 68.675 |
Kur shporta mujore arrin në 69.432 denarë ndërsa paga mesatare neto është 48.381 denarë, diferenca mes të ardhurave mesatare dhe shpenzimeve të përllogaritura mbetet mbi 21 mijë denarë. Kjo tregon se për një familje që mbështetet vetëm në një pagë mesatare, mbulimi i të gjitha kategorive të shportës kërkon të ardhura shtesë. /Alsat.mk








