Gazetar: Avni Tahiri
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut qëndrojnë në shtëpitë e prindërve mesatarisht deri në moshën 30,7 vjeç, ndërsa të rinjtë e shteteve të Bashkimit Evropian, vendosin të jetojnë pa prindërit në moshën 26,3 vjeçare.
Këto të dhëna janë publikuar nga zyra statistikore e Bashkimit Evropian, „Eurostat“, ku thuhet se më gjatë në shtëpinë e prindërve qëndrojnë të rinjtë në Kroaci dhe atë deri në moshën 31,5 vjeçare ndërsa në Greqi dhe Sllovaki qëndrojnë deri në moshën 30,9 vjeçare.
Por cilat janë arsyet kryesore që të rinjtë në vendin tonë jetojnë në bashkësi me prindërit? Disa qytetarë e lidhin këtë me mentalitetin ballkanik ndërsa disa tjerë thonë se arsyet janë kryesisht mundësitë ekonomike.
”Nëse nuk kanë ku të jetojnë dhe nëse nuk kanë ekzistencë tjetër sigurisht që do të qëndrojnë me prindërit dhe nuk mund të jetojnë të ndarë. ”Ka edhe mentalitet të vjetër që të jetojnë me prindërit por tani janë më kohëra moderne dhe ikin menjëherë sa të gjejnë mundësinë ikin të jetojnë vetëm,” tha një qytetar.
”Këto janë vite ku ato janë mjaft të pjekur që të vendosin në cilën rrugë të shkojnë. A të qëndrojnë këtu me familjen dhe mos bëjnë asgjë apo të bëjnë diçka. ”Të rinjtë kanë vizion tjetër për jetën. Nuk është që nuk duan të jetojnë me prindërit por duan që të jenë të pavarur dhe të tregohen që janë të vlefshëm por edhe shoqëria bën shumë pak që të rinjtë të mund të qëndrojnë këtu, tha një tjetër qytetar.
Nga ana tjetër, më herët vendosin të jetojnë larg prindërve të rinjtë në Finlandë dhe atë në moshën 21,4 vjeçare, në Danimarkë në moshën 21,8 vjeç, si dhe në Estoni dhe Lituani nga mosha 22,7 vjeçare. Në rajon, në Bosnjë dhe Hercegovinë të rinjtë qëndrojnë me prindërit deri në moshën 29,5 vjeç, ndërsa në Bullgari deri në 27,9 vjeç.
Sipas Eurostat-it, në mbarë botën ekziston një trend që të rinjtë të qëndrojnë më gjatë në shtëpinë e prindërve. /Alsat.mk








