70 vjeçari shtypet me makinë, dyshohet se ngasësit e hedhën në një qorrsokak

70 vjeçari shtypet me makinë, dyshohet se ngasësit e hedhën në një qorrsokak

Gazetar: Adnan Qaili

Posa doli nga puna rrugës për në shtëpi, Ahmed Kokica u shtyp nga një makinë duke kaluar vizë bardhat në rrugëkryqin e lagjes Fushë-Tophanë në Shkup, shkruan Alsat.

Sipas familjarëve ai deri në ora 22:00 ka punuar në një objekt gastronomik dhe ka marr rutën e njëjtë, por natën e 12 majit nuk u kthye në shtëpi.

Familjarët nuk kanë mundur të kontaktojnë ngaqë celularin dhe gjërat tjera personali dyshohet që ia kanë hedhur.

Një nga ta rrëfeu për Alsat se tanimë i ndjeri 70 vjeç Kokica është marr me veturën qe e kanë shkelur dhe në vend se ta çojnë në spital, e kanë hedhur në një qorrsokak, sipas tij, në përpjekje të fshehjes së krimit.

“Sipas informacioneve të para të mjekës atë ditë kur shkuam në Spital, duke na treguar rastin ajo tha se i ndjeri është shkelur në vizë bardha. Dyshimet janë që e kanë shkelur dhe tani e kanë marr e kanë hedhur në atë rrugën tjetër në qorrsokak”, tha Shemun Ameti, Familjar.

Në kërkim të gjurmëve, janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë së një biznesi afër udhëkryqit ku ka ndodh aksidenti dhe tek shtëpitë në rrugën ku është hedhur i ndjeri, por autoritetet nuk tregojnë për identifikimin e automjetit.

Nga Prokuroria publike kanë hapur procedurë parahetimore dhe thanë se janë në fazë fillestare të rastit.

“Dëshmitarët okularë, pamjet filmike të kamerave të sigurisë si dhe dëshmitë e personit i cili tani më ka ndërruar jetë janë faktet që janë mbledhur nga autoritetet e hetuesisë për personat që dyshohet se kanë shtypur 70 vjeçin dhe e kanë hedhur në Rrugën ‘Ronald Regan’ në Çair”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se rasti është denoncuar në polici rreth orës 2 pas mesnate.

Me të dalë në vendngjarje kanë gjetur viktimën me lëndime të rënda trupore e pothuajse pa shenja jete dhe e kanë transferuar në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’ për dhënien e ndihmës mjekësore.

“Në një bisedë me stafin mjekësor të Klinikës së Toksikologjisë, ai ka deklaruar se lëndimet i ka marrë nga një goditje të një automjeti. Zyrtarët policorë nga Njësiti për aksidente në trafik në SPB Shkup kanë zhvilluar një bisedë me personelin mjekësor, pas së cilës është njoftuar Prokurori Publik dhe ka dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme. Sektori për punë të brendshme Shkup është duke punuar në zbardhjen e rastit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Familjarët thonë se kanë angazhuar avokat për të zbardhur rastin ngaqë dyshojnë se ka përpjekje për fshehje dhe tjetërsim të ngjarjes. Kërkojnë urgjentisht të gjenden fajtorët që i morën jetën babait të tyre dhe fajtorët të dalin para drejtësisë.

“Këtu dyshohet se ata që e kanë shkelur e kanë hedhur dhe ia kanë marr paratë, çantën, telefonin dhe kanë dashur ta mbulojnë rastin. Tani thanë ka pasur një shishe në xhep, tash s’po e kuptoj me godit vetura e mos me ju thyer ajo shishe, e gjitha gjërat me i marr prej vetit. S’kam tjetër koment”, u shpreh Shemun Ameti, Familjar.

Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, obduksioni ka treguar që personi Ahmed Kokica ka pasur goditje të fuqishme nga pjesa anësore mesit me disa brinjë dhe unaza të thyera. Nga dëmtimet e pësuara në organet vitale për jetë, ai ka rënë në koma deri më datë 18 Maj, ku edhe ka ndërruar jetë në Spital./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button