Talebanët kontrollojnë aeroportin e Kabulit

Talebanët kontrollojnë aeroportin e Kabulit
- Ayaz Gul
- Ayesha Tanzeem
- Jeff Seldin

Talebanët festuan të martën largimin e forcave të huaja nga Afganistani, duke e quajtur atë “një mësim për pushtuesit e tjerë”, por kërkuan marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar.
Duke folur para gazetarëve, zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid, përgëzoi Afganistanin, duke thënë se largimi i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ishte një fitore “që na përket të gjithë neve”.
I rrethuar nga një njësi e forcave elite të grupit Badri në aeroport, ai i këshilloi ata që të mos silleshin ashpër me qytetarët afganë.
“Trajtoni popullsinë afgane mirë”, u tha ai ushtarëve. “Publiku e meriton këtë.” Ai gjithashtu u kujtoi atyre se janë “shërbëtorët” e popullit dhe nuk duhet të tregoheshin të ashpër me bashkëatdhetarët e tyre.