Kosovë, miratohet në parim Projektligji për rimëkëmbje ekonomike

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19. Ky projektligj është votuar në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, pas gjashtë dështimesh të mëhershme.

Projektligjin nuk e kanë votuar partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk përkon asgjë me rimëkëmbje ekonomike.

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, para votimit të projektligjit, ka thënë se “si kryetare e kuvendit në asnjë moment nuk është konsultuar, nuk është kontaktuar apo nuk është kërkuar mbështetje për këtë ligj, nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, kap vlerën e 385 milionë eurove. Me miratimin e këtij projektligji është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Zbatimi i këtij projektligji po ashtu do mundësojë që qytetarët kontribut-pagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Tërheqja e këtyre mjeteve nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, “kjo zvogëlon pensionet e ardhshme”.

Bizneset në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Për këtë arsye subjektet ekonomike në Kosovë, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë këtë projektligji, pasi sipas tyre, “adresimi i dëmeve të shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.

LEXO EDHE:

Back to top button