Kabllo zgjatues, shkak i zjarrit në spitalin modular të Tetovës

Zjarri në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona me shumë mundësi ka shpërthyer nga një kabllo zgjatues. Në të ishin lidhur defibrilatori, një karikues telefoni celular dhe një pajisje tjetër. Këtë e tregon raporti i krim teknikës në Ministrinë e Brendshme, i cili i është dorëzuar Prokurorisë së Tetovës. Prokuroria tha se kablloja ishte nxehur dhe kutia lidhëse e kabllos zgjatuese kishte marrë flakë.
Zjarri ndodhi si rezultat i një qarku të shkurtër elektrik, përmes një rezistence të lartë kalimtare në kabllon e lidhjes së një defibrilatori, me të cilin është bërë reanimin i një pacienti në një nga dhomat e spitalit. Nxehja e kabllos shkaktoi ndezjen në kutinë lidhëse të kabllos zgjatuese, në të cilin ishin lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër – njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Zjarri shpejt u përhap në të gjithë spitalin modular dhe u përhap në panelet e çatisë, përmes të cilave arriti në muret e panelit dhe pajisjet e spitalit.
Duke pasur parasysh se të gjithë pacientët e shtruar ishin të lidhur me furnizimin qendror të oksigjenit, dhe kështu përqindja e oksigjenit të pranishëm në të gjithë spitalin ishte rritur, si dhe për shkak të dëmtimit të instalimit të oksigjenit gjatë zjarrit, zjarri u përhap në të gjithë ndërtesën për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Në këtë ka kontribuar fakti, që në hapësirën e nënkulmit të objektit nuk ka ndarje ndërmjet moduleve/dhomave dhe drejt korridorit, që do ta ngadalësonin përhapjen e zjarrit – theksojnë nga Prokuroria Publike.
Kryeministri Zoran Zaev tha se nuk e kishte lexuar raportin, dhe pasi ta ketë shqyrtuar, me siguri do të komentojë nesër për dorëheqjet e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani.
Vërtetë dëgjoj për herë të parë se raporti është publikuar. Ndoshta kemi qenë në konferencë për shtyp, gjatë kohës që ai është publikuar, d.m.th. këtu në këtë hapësirë. Së pari dua të them, falënderim për institucionet që i publikojnë raportet, sepse qytetarët me të vërtetë prisnin. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Vetë raportet duhet të jenë, siç e kemi thënë gjithmonë të përfunduara, profesionalisht, në kohë dhe çdo informacion shtesë që i jep përgjigje popullit tonë, familjeve, për jetët e humbura, për bashkëqytetarët tanë të vdekur, është përgjegjësi e institucioneve – deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër.
Ky është raporti i parë që mori prokuroria e Tetovës pas ekspertizës së kërkuar. Priten edhe raportet nga institucionet e tjera kompetente. Edhe Instituti i Ndërtimit gjithashtu duhet të dërgojë raportin e vet në Prokurori, nga ku ata morën mostra të materialit ndërtimor të djegur, si nga dyshemeja, tavani, muret, dritaret, dyert e izolimi. Pritet gjithashtu ekspertiza e ekspertëve gjermanë nga Mjekësia Ligjore Federale. Prokuroria tha se po vepron intenzivisht për rastin dhe se po ndërmarrin veprime për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Natën e 8 shtatorit, zjarri në spitalin modular të Tetovës në më pak se pesë minuta shkatërroi të tërin spitalin e improvizuar ku humbën jetën 14 persona.
Igror Stefanovski