Tragjedia në Bullgari: Hetuesit njoftuan se të gjitha ekspertizat do të jenë gati këtë fundjavë

Gazetar: Igor Stefanovski
Hetuesit bullgarë bëjnë të ditur se rezultatet e ekspertizës, mjekoligjore, teknike dhe ekspertiza për shkaqet e zjarrit të autobusit ku një muaj më parë humbën jetën 45 persona, mund të jenë gati këtë fundjavë, shkruan Alsat.
Deri më tani, hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të asaj se shpejtësia e autobusit ka qenë e papërshtatshme me kushtet e rrugës. Ende është e paqartë se si autobusi i “Besa Trans” fillimisht godet në anën e djathtë të gardhit mbrojtës në autostradë, pastaj shkon majtas, godet gardhin, ndalon dhe shpërthen zjarri.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se nga goditja është shpuar rezervuari i karburantit, pas së cilës ka shpërthyer zjarr, dhe në atë moment automjeti ka ngecur mes gardhit mbrojtës, dhe dyert nuk janë hapur.
Një muaj pas tragjedisë, sot pjesa ku ndodhi aksidenti është vënë plotësisht në qarkullim. Një pjesë e autostradës “Struma”, e cila u mbyll për shkak të organeve hetimore, tashmë është e kalueshme, janë vendosur gardhe të reja mbrojtëse që janë më të larta se ato të mëparshmet dhe mund të përshkohet me 120 kilometra në orë. Për nder të viktimave në vendin e ngjarjes është vendosur kurorë me lule.
Derisa organet hetimore bullgare, janë drejt përfundimit të procedurës para hetimore, në vendin tonë, inspektorati i transportit ende nuk ka bërë inspektim se si ka punuar kompania transportuese “Besa Trans”, pasi pronari i kompanisë nuk ndodhet në shtet. Ndërkohë, Prokuroria e Maqedonisë kërkon përgjegjësi të mundshme penale, por detaje nuk bëhen të ditura.
“Rasti që ka të bëjë me punën e subjektit juridik – organizator i udhëtimit, si dhe veprimet e organeve tjera kompetente, është në fazën e procedurës para hetimore në të cilën po ndërmerren veprime intensive, për konstatimin e fakteve dhe përgjegjësinë e mundshme penale”, thonë nga Prokuroria Publike.
Dogana duhet të dorëzojë në Prokurorinë Publike një raport të plotë, se si autobusi Besa Trans ka kaluar kufirin mbi 100 herë në vitin 2020 dhe 2021. Deri më tani në Drejtorinë doganore janë suspenduar nga puna dy doganierët që kanë lëshuar autobusin në Bullgari pa licencë për transportin e udhëtarëve. Ministria e Transportit ia mori licencën Besa Transit, pas tragjedisë ku humbën jetën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë dhe u lënduan 7 udhëtarë./ Alsat.mk