Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, luftë nervash mes Xhaferit dhe Zendelit

Gazetar: Adrian Kerimi
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk do të thërrasë seancë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime derisa përbërja e komisionit nuk reflekton me realitetin politik shumicë-opozitë në Kuvend. Xhaferi i bëri thirrje deputetit Fadil Zendeli i cili nga dhjetori ka deklaruar se do të rreshtohet si deputet i opozitës, të largohet nga pozita e anëtarit të komisionit që të mund të funksionin trupi për zgjedhje dhe emërime bashkë me trupat tjerë të ligjvënësit.
“Nuk ka të drejtë ta bartë funksionin e anëtarit të Komisionit përkatës si përfaqësues i opozitës për faktin se ndikon në disbalancin e asaj që është raporti proporcional i pjesëmarrjes së deputetëve dhe grupeve parlamentare. Më 13 dhjetor deputetët Fadil Zendeli dhe Bastri Bajrami më kanë njoftuar se tani e tutje do të veprojnë si deputet opozitar”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Ai tha se ka në plan të veprojë mbi bazën e kompetencave që i posedon si kryetar Kuvendi, por nuk shpjegon planin e tij për zhbllokimin e komisionit.
“Është stërzgjat kjo punë. Unë deri tani i kam dhënë përparësi dialogut, bisedimeve, konsultimeve ndër partiake, argumenteve dhe kundër argumenteve dhe mendoj që ajo rrugë është shterë dhe unë duhet t’i kthehem zbatimit të kompetencave të garantuara me Rregullore në nenin 60”, theksoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Zendeli sot nuk kishte koment për qëndrimet e Xhaferit. Derisa Komisioni për zgjedhje dhe emërime mbetet i bllokuar, në Kuvend nuk funksionojnë edhe disa komisione të tjera si pasojë e pamundësisë për t’i sistemuar deputetët të cilët erdhën pas dorëheqjeve të kandidatëve për kryetar komunash apo ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit qeveritarë. Përveç gjykatësve kushtetues, të bllokuara në Komisionin për zgjedhje dhe emërime kanë mbetur edhe këshilli i RTVM-së dhe këshilli i Agjencisë së Mediave, për të cilat partitë konsiderojnë se konsensusi është akoma më i vështirë për faktin se këto emërime kërkojnë shumicë prej 2/3. /Alsat.mk