​Abramovich u pa në Tel Aviv, avioni i tij u ul në Stamboll

Miliarderi rus i sanksionuar Roman Abramovich është parë sot në aeroportin “Ben Gurion” në Tel Aviv, para se aeroplani që lidhet me të, fluturoi për në Stamboll.

Një foto e siguruar nga Reuters tregon Abramovich, pronarin e Chelsea, të ulur në një hapësirë VIP në aeroport me një maskë të ulur nën mjekër.

Agjencia britanike e lajmeve thekson se nuk mund të konfirmojë nëse ai hipi në fluturim për në Stamboll.

Abramovich, i cili ka nënshtetësi izraelite dhe portugeze, ishte në mesin e shtatë miliarderëve rusë të shtuar në listën e sanksioneve britanike të enjten, si pjesë e presionit për të izoluar presidentin rus Vladimir Putin për sulmin ndaj Ukrainës.

Të dërguarit e BE-së kanë rënë dakord të shtojnë Abramovich në listën e oligarkëve rusë të sanksionuar, thanë sot burime diplomatike.

Abramovich mohoi të kishte lidhje të ngushta me Putin-in. Një person i paidentifikuar i njohur me situatën e sotme tha për Reuters se aeroplani i përdorur nga Abramovich fluturoi për në “Ben Gurion” të dielën nga Moska.

Faqja e gjurmimit të fluturimeve “Flight Radar 24” tregon se aeroplani me numrin LX-RAY, është në fakt një aeroplan i madh biznesi “Gulfstream” (Abramovich zotëron një të tillë), dhe se ai u ul në Stamboll pasi u ngrit nga Izraeli.

Vendet e gjurmimit të fluturimeve tregojnë se aeroplani u ul në Izrael nga Moska vonë të dielën në mbrëmje.

Izraeli ka vendosur kufizime për aeroplanët privatë rusë që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, që do të thotë se nuk mund të qëndrojë në tokën izraelite për më shumë se 24 orë.

LEXO EDHE:

Back to top button