Britania po punon për të konfirmuar nëse forcat ruse kanë përdorur armë kimike në Ukrainë
Britania po punon për të konfirmuar nëse forcat ruse kanë përdorur armë kimike në Ukrainë

Gazetare: Arta Tahiri
Ofensiva e ushtrisë ruse për pushtimin e qytetit strategjik të Mariupolit mund të ketë kaluar në nivel edhe më brutal; atë të përdorimit të armëve kimike, shkruan Alsat.
Ministrja e Jashtme në Britaninë e Liz Truss tha se ka raportime për përdorim të agjentëve kimikë dhe se po punonin me partnerët për të verifikuar detajet. Ministri i forcave të Armatosura në Britaninë e Madhe tha se në rast se pretendimet do të konfirmoheshin, presidenti Putin duhet ta dijë se perëndimi do të përgjigjet.
“Le të jemi të qartë, nëse ato përdoren, atëherë presidenti rus Putin duhet ta dijë se të gjitha opsionet e mundshme janë në tryezë për sa i përket mënyrës sesi Perëndimi mund të përgjigjet”, tha James Heappey, Ministër i forcave të Armatosura, Britani.
Reagimi i fortë nga Britania e Madhe erdhi pasi batalioni Azov, i cili mbron qytetin e Mariupol, tha se trupat ruse kishin përdorur një substancë helmuese me origjinë të panjohur kundërforcave të Ukrainës dhe civilëve. Edhe presidenti Volodimir Zelensky u shpreh i shqetësuar për përdorimin e mundshëm të armëve kimike në mesazhin e tij të fundit.
”Dëgjuam nga pushtuesit se po përgatiten për një fazë të re terrori kundër nesh, dhe mbrojtësve tanë. Një prej zëdhënësve të pushtuesve tha se po konsideronin përdorimin e armëve kimike kundër mbrojtësve të Mariupol. I kujtoj liderëve botërorë se është diskutuar edhe më herët për përdorimin e armeve kimike nga ushtria ruse, çka nënkupton se reagimi ndaj agresionit të Moskës duhet të kishte qenë më i fortë dhe më i shpejtë”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.
Forcat separatiste pro-ruse në rajonin e Donetskut kanë mohuar përdorimin e armëve kimike në qytetin port jugor të Mariupolit. Një komandant separatist tha se armët kimike nuk ishin përdorur pavarësisht pretendimeve të Ukrainës. Nga ana tjetër autoritetet në Mariupol bënë të ditur se beteja për qytetin po vazhdon, pavarësisht raportimeve se forcat ukrainase janë pranë kapitullimit dhe rusët mund të marrin shumë shpejt kontrollin. Kryebashkiaku i qytetit strategjik tha për se të paktën 10 mijë qytetarë ishin vrarë deri më tani që prej fillimit të luftë, me trupat që sipas tij janë të shpërndarë nëpër rrugë. Ai tha se ka ende 120 mijë civilë në Mariupol që kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe ilaçe.
“Pjesa e qytetit të pushtuar nga ushtria ruse ishte mbyllur dhe po tentonin të fshihnin provat e krimeve të tyre. Tani e kuptojmë pse nuk lejuan asnjë mision humanitar. Po flasim për mijëra viktima. Nëse përmendim shifra, atëherë ato janë të tmerrshme. Mbi 10 mijë civilë të vrarë”, u shpreh Vadym Boychenko, kryetar i Mariupolit.
Ndërkohë burime të ushtrisë ukrainase thonë se trupat e Moskës po ripozicionohen në jug të vendit, nga lumi Bug në kufi me rajonin e Kherson. Autoritetet në Ukrainë paralajmëruan se ushtria e Vlladimir Putin ka lënë pas dhjetëra mijëra mina nga zonat ku janë tërhequr./Alsat.mk