Përkujtohet ndeshja vëllazërore Shkëndija-Kosova

Një delegacion nga Kosova, të mërkurën ka qëndruar në zyrat e KF Shkëndija në Tetovë për të përkujtuar 30 vjetorin e zhvillimit të ndeshjes vëllazërore Shkëndija-Përfaqësuesja e Kosovës, që sipas organizatorëve paraqiste takimin e parë të Kosovës.
Rreth 10 000 spekatorë në stadiumin e qytetit në Tetovë ndoqën duelin e zhvilluar më 2 maj të vitit 1992 e që përtej rezultatit 2:4 për mysafirët qëllim parësorë kishte mesazhin e rikthimit të futbollit në kushte kur Federata e Futbollit të Kosovës sapo ishte themeluar, derisa në anën tjetër po ringjallej edhe Shkëndija që kishte pushuar aktivitetin pas situatës së rënduar politike në vend. Futbolli bashkoi shqiptarët në një festë të vërtetë, derisa 30 vite më vonë me shumë nostalgji rikujtohet kjo ngjarje.
Delegacioni i Federatës së atëhershme të Futbollit të Kosovës i udhëhequr nga nënkryetari i parë, Gafur Kabashi dhe seleskionuesi i parë i Kosovës, Ajet Shosholli qëndruan në Tetovë ku realizuan takim me drejtuesit e klubit si dhe me kryesinë e vitit 1991 të Shkëndijës që drejtohej nga Habil Bexheti.
Delegacioni nga Kosova me këtë rast ndau mirënjohje për drejtuesit aktual të Shkëndijës dhe për udhëhëqësit e klubit pas rithemelimnit në vitin 1991 si Habil Bexheti, Nexhbedin Sinani, Murat Ahmeti, Rametulla Baftjari, Ibraim Murat Kabashi dhe Irfan Xhelili.