Vozitja me taksi luks për shkupjanët
Vozitja me taksi luks për shkupjanët

Gazetar: Adnan Qaili
Në kryeqytet duken gjithnjë e më pak makinat e verdha. Rritja enorme e çmimit të karburanteve ka bërë që taksistët të mos dalin pothuajse fare në punë, shkruan Alsat.
Ata pak që takuam thanë se janë duke punuar sa për t’i mbuluar shpenzimet.
Secili prej tyre thotë se me rritjen e çmimit të naftës çdo ditë harxhojnë nga 1 mijë denarë dhe në fund të ditës mezi fitojnë aq sa për të çuar dy bukë në shtëpi.
Thonë se nuk e ndezin taksimetrin.
“Në javë diku 5-6 mijë denarë shpenzoj naftë. Sa është fitimi juaj, pra? Fitimi për momentin është katastrofë, hiç, veç iu bëjmë shërbim popullit asgjë tjetër. Përse? Arsyeja është se çmimi naftës ka shkuar në qiell. I hedh 1 mijë denarë, tu vozit mi fituar ato para të shkon nafta komplet”, tha një taksist.
“Llogaria nuk është kurrqysh s’kemi fitim. Po çfarë të bëjmë, të rrimë në shtëpi edhe më problem. Veç Zoti e di se ne për vete nuk jemi tu ditë asgjë. 1,000 denarë në ditë, për një javë 7,000 denarë. E ku e ke fitimin këtu? Askund hiç!”, u shpreh një taksist tjetër.
Nga Sindikata e Taksive thonë se kanë parashtruar kërkesë të rritjes së çmimit të startit për 10 denarë dhe plus 5 denarë për çdo kilometër, për shkak, siç thonë dyfishimit të çmimit të karburanteve.
Nga kjo Sindikatë thonë se edhe derivatet i blejnë si konsumatorë final dhe nuk kanë lehtësira tarifore sikurse transportuesit e tjerë.
Tani starti i taksive nëpër Shkup është 40 denarë dhe 30 denarë për çdo kilometër.
“Ky çmim është prej 11 vitesh, duhet të ndryshohet. Derivatet janë shtrenjtuar disa herë prej atëherë, këto tarifa janë prej 2011-ës. Tani nuk kemi llogari, s’kemi leverdi. Edhe ndonjë ditë do e shtyjmë me rezervat që kemi derivateve deri sa ti harxhojmë dhe aq do të jetë. Qyteti do të mbetet pa taksistë”, tha një taksist.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ka bërë që brenda tre muajsh të rriten disa herë edhe biletat e transportit ndër urban. Nëse nga qyteti më i afërt për të ardhur në Shkup me autobus është paguar 100 denarë tani paguani 170 denarë.
Nga ana tjetër është paralajmëruar edhe rritje e çmimit të biletave të transportit publik. Vozitësit nga NQP “Shkupi” kanë anuluar protestën që kishin paralajmëruar javën e kaluar për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës.
Siç thonë nga tre sindikatat ujdia është arritur me rritje të pagave për 2,800 denarë nga paga e qershorit./ Alsat.mk