Blinkenit i vdes babai, emocionon me fjalët e ndjera
Blinkenit i vdes babai, emocionon me fjalët e ndjera
Babai i sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, Donald, një ish-diplomat amerikan, bankier investimesh dhe koleksionist i artit modern, ka vdekur në moshën 96-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Blinken përmes disa postimeve në Twitter, ndërsa po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së.
“Familja ime humbi një prind dhe gjysh, një burim dashurie dhe frymëzimi – babai im Donald Blinken”, shkroi ai.
“Një anëtar i Korpusit Ajror të Ushtrisë Amerikane, një ambasador i ShBA, president i Fondacionit Mark Rothko, (kryetar i bordit) i Universitetit Shtetëror të Nju Jorkut, babai i shërbeu qytetit, shtetit dhe vendit të tij”, tha më tej Blinken.
Donald Blinken vdiq paqësisht në shtëpinë e tij në East Hampton, Long Island, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
“Babi më frymëzoi për shërbimin publik”, shkroi Blinken.
“Ai jetoi me mirësjellje, dinjitet dhe modesti. Ai e donte gruan e tij Vera dhe familjen e tij. Ai ndërtoi një jetë të mrekullueshme dhe më dha një jetë të mrekullueshme. Të dua babi”.
Donald Blinken shërbeu si kryetar i sistemit të Universitetit Shtetëror të Nju Jorkut nga 1978 deri në 1990 dhe ishte ambasador i ShBA-së në Hungari nga 1994 deri në 1997, gjatë administratës së Bill Clinton.