Ministria e Bujqësisë riformaton programin e subvencionimit të bujqve
Ministria e Bujqësisë riformaton programin e subvencionimit të bujqve

Gazetar: Adnan Qaili
Kriza ekonomike ka zgjuar nga gjumi resorin bujqësor të stimulojë kultivimin e prodhimeve ushqimore në prag të sezonit të mbjelljeve, shkruan Alsat.
Ministria e Bujqësisë ka ri formatuar programin e subvencioneve dhe përpos mbështetjes bazë për hektar të tokë bujqësore, tani ndihma financiare shtesë do të jepet për sa prodhim kanë ato kultura bujqësore, me kusht që shitja të bëhet në pikat e autorizuara.
Ministri Lupço Nikollovski tha se këto masa do të heqin nga lista përfituesit që kanë tokë por nuk prodhojnë asgjë, si dhe do të zvogëlojnë shit-blerjet në të zezë të prodhimeve që janë aq shumë të nevojshme për ushqim.
“Modeli i vjetër i subvencionimit ku buqit kanë marrë financa pa detyrim të tregojnë dëshmi se kanë prodhuar ato produkte, e zëvendësojmë me modelin e ri evropian të subvencionimit ‘decpuleling’ ku të gjithë bujqit duhet të tregojnë prodhimin dhe të shesin tek firmat e regjistruara për të marr ndihmën”, tha Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë sivjet janë mbjell mbi 78 mijë hektarë grurë dhe mbi 48 mijë hektarë elb në gjithë vendin. Krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të lehtë të kultivimit të këtyre dy llojeve të drithërave.
Kjo shifër mbetet larg përmbushjes së nevojave për tregun vendor me miell. Si pasojë e konkurrencës hambarët e mullisëve mbushen nga importi i vendeve fqinje, të cilët janë të liruar nga dogana, prej ku gruri blihet me 12 denarë për kilogram.
Por, gjithsesi qytetarët bukën e prodhimet e miellit i paguajnë më shtrenjtë ngaqë shteti nuk ndërhyn në rregullimin e çmimit në treg.
“Analizat e deritanishme dhe kriza aktuale dikton ndryshimin urgjent të subvencioneve, ndryshime të cilat do sjellin rezultate në plan afatshkurtër dhe afatgjatë për të shtuar prodhimin vendor dhe të ulim importin”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Parashihet që 30% e subvencioneve të jepen gjatë aplikimit dhe pjesa mbetur për çdo muaj të 10 mijë veprimtarëve. Parashikohet që tokat e papërdorura private, me pëlqim të pronarëve, ti merr shteti në shfrytëzim për ti dhënë me koncesion për bujqësi.
Ndonëse vendi ynë ka rreth 600 mijë hektarë tokë bujqësore, sipas agrarëve vetëm gjysma e tyre kultivohet.
Sivjet 6 mijë hektarë janë mbjellë me luledielli, për vaj ushqimi, por janë vetëm 20% e kërkesës së tregut se sa konsumon popullsia e Maqedonisë./ Alsat.mk