Stoltenberg: Shpërthimi në Poloni me gjasë u shkaktua nga raketa të Ukrainë

Stoltenberg: Shpërthimi në Poloni me gjasë u shkaktua nga raketa të Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Ai tha se po vazhdojnë hetimet për këtë shpërthim dhe se duhet të priten rezultatet e tyre, por se “analizat preliminare sugjerojnë se incidenti me gjasë u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që u lëshua për ta mbrojtur territorin ukrainas ndaj sulmeve ruse”.

“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia e mban përgjegjësinë përfundimtare pasi që po e vazhdon luftën e saj të jashtëligjshme kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Këto deklarata Stoltenberg i bëri në konferencën për shtyp pas takimit urgjent të vendeve anëtare, në Bruksel, pasi më 15 nëntor dy persona u vranë në Poloni nga një raketë që Varshava tha se ishte e prodhuar nga Rusia. Stoltenberg gjithashtu shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.

Edhe presidenti i Polonisë, Anzhej Duda, tha se nuk ka asnjë indikacion që shpërthimi i së martës në Poloni, që vrau dy persona, te ketë qenë “sulm i qëllimshëm”, duke shtuar se ka më shumti gjasa të ketë qenë vetëm një fatkeqësi. Ai shtoi se besohet që raketa që goditi një fshat kufitar në Poloni ishte e mbrojtjes ajrore ukrainase, por gjithashtu tha se përgjegjësia përfundimtare i takon Rusisë, që nisi një varg sulmesh me raketa drejt Ukrainës të martën. Duda tha se është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët.

“Kam zhvilluar një sërë konsultimesh ndërkombëtare, duke filluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, me Presidentin e SHBA Xho Bajden, një bisedë shumë e rëndësishme. SHBA është aleati ynë kryesor, ushtria më e fuqishme në botë. Ju siguroj të gjithëve Biden e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë me ne. Të njëjtat fjalë kam dëgjuar edhe nga kryeministri i Britanisë së Madhe Sunak”, u shpreh Anzhej Duda, president i Polonisë.

Paraprakisht presidenti amerikan Xho Bajden në një takim urgjent me liderët e G7 dhe të NATO-s në Indonezi tha se raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia.

“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”, tha Xho Bajden, president i SHBA-së.

Rusia mohoi se raketat e saj kishin goditur territorin polak, duke thënë se raportet ishin “një provokim i qëllimshëm” për të përshkallëzuar situatën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet e saj në Ukrainë një ditë më parë ishin jo më afër se 35 kilometra nga kufiri polak./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button