Transportuesit privat nuk arritën të takojnë Arsovskën, bllokada vazhdon

Transportuesit privat nuk arritën të takojnë Arsovskën, bllokada vazhdon

Gazetar: Mefail Ismaili

Transportuesit privatë me mbi 200 autobusë, bllokuan korsitë e djathta në të dy drejtimet e rrugës “Ilindenska”, përkatësisht nga Qeveria deri të salla “Boris Trajkovski”. Bllokada vjen pas dështimit të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes midis transportuesve dhe Qytetit të Shkupit për shlyerjen e borxhit prej rreth 2 milion euro. Transportuesit privatë kërkuan takim me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovka por mbetën pa përgjigje. Transportuesit thonë se zgjidhje duhet të ketë patjetër, pasi gjendja e tyre është tejet e rëndë, shumë familje rrezikojnë të mbesin pa bukë.

“Jemi këtu dhe i lamë autobusët tonë në bulevardin “Ilindenska” në të dy anët vetëm në korsinë e djathtë që të mund të shihet realisht se sa janë, fillimisht vetë kryetarja e qytetit pasi me deklaratat e saj është qesharake dhe përpiqet të gënjejë opinionin e gjerë. Ja autobusët këtu të gjithë mund ti shohin sa janë… Na sollën në gjendjen e lypësit, përmbaruesit na presin, do të thotë nuk mund të dërgojmë ushqim në shtëpi”, deklaroi Kemal Muriç, transportues Privat.

Transportuesit thonë se nuk mund t’i besojnë Arsovkës pas thirrjes për t’u paraqitur në thirrjen publike.

“Ne nuk e dimë se cila është përmbajtja, kush janë kushtet. Por duke parasysh se si janë këto, më vjen keq që duhet ta them, të pavërteta që i thotë , nuk e di sa mund të besoj në atë se sa mund të jetë diçka mirë për neve. Sidoqoftë ne duhet të vazhdojmë, jemi kompakt, jemi bashkë dhe e ardhmja jote do të jetë e përbashkët”, u shpreh Isen Halili, Transportues privat.

Transportuesit privatë thanë se janë të gatshëm të fillojnë punën, por pasi t’u jepet një pjesë e borxhit, siç bën qyteti me ndërmarrjet e tjera publike që kanë probleme financiare.

“Nëse vërtetë duan të zgjidhet problemi, ja mundësi që këtë ta bëjnë menjëherë, ata do të fillojnë menjëherë të transportojnë dhe do e bëjnë deri atëherë kur nuk do të ndodh ai publikim i paralajmëruar i shpalljes i cili supozoj se është ndonjë koncept i ri i kryetares. Por që të mos shkaktohet hapësirë e këtillë e nervozeve, bllokimeve e punëve të ngjashme, transporti publik të funksionojë, ndërsa kur do të realizohet shpallja e re, ajo me ata transportues që planifikon ose që do të paraqiten në këtë shpallje të mund të bëhet më tej transporti”, tha Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.

Nëse deri të dielën në mbrëmje Qyteti i Shkupit nuk ofron zgjidhje për transportuesit privatë, atëherë nga e hëna në mëngjes me 200 autobusë privatë do t’i bllokojnë në tërësi udhëkryqet tek “Mavrovasja”, udhëkryqi tek Kryqi i Kuq dhe rrugën “Ilindenska”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button