Ecja hapësinore e kozmonautëve rusë është anuluar
Ecja hapësinore e kozmonautëve rusë është anuluar
Një rrjedhje e pakontrolluar e ftohësit nga anija kozmike ruse Soyuz në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) dëmtoi kapsulën e ekuipazhit, tha agjencia ruse hapësinore Roscosmos.
Bëhet fjalë për një “rrjedhje të dhunshme” nga anija kozmike Soyuz MS-22, e zbuluar ndërsa kozmonautët rusë Sergei Prokopyev dhe Dmitry Patelin po përgatiteshin për një shëtitje në hapësirë jashtë Stacionit. Është një shëtitje që duhet të kishte zgjatur gati shtatë orë.
Megjithatë, ajo u anulua sepse kostumet hapësinore filluan të humbnin presionin në dhomën e ajrit. Kamerat në pjesën e jashtme të stacionit hapësinor kapën lëngun e ngrirë që ikte nga kapsula Soyuz në hapësirë ndërsa astronautët ktheheshin në pjesën kryesore të stacionit.
Ekuipazhi është i sigurt dhe në raport thuhej se pajisja paralajmëruese, e cila është pjesë e sistemit të diagnostikimit, u dëgjua dhe tregoi një rënie të presionit në sistemin e ftohjes. Inspektimi vizual konfirmoi rrjedhjen, kjo është arsyeja pse shëtitja në hapësirë u anulua.
Nga ana tjetër, të gjitha sistemet e tjera të Stacionit dhe Soyuz funksionojnë normalisht, kështu që ekuipazhi është i sigurt. Megjithatë, pas analizës së plotë të situatës do të vendoset për veprimet e radhës të ekspertëve. Agjencia amerikane e hapësirës NASA gjithashtu lëshoi një deklaratë të ngjashme, duke theksuar se ekuipazhi nuk ishte në rrezik në asnjë moment.
Se si dëmtimi i Soyuz do të ndikojë në kthimin e ekuipazhit MS-22 në Tokë në mars 2023, aktualisht nuk dihet. Astronauti i NASA-s Frank Rubio është pjesë e atij ekuipazhi. Nuk dihet gjithashtu se çfarë është dëmtuar nga rrjedhja.
Agjencitë hapësinore nuk specifikuan se çfarë ftohës rrjedh nga Soyuz, por amoniaku, i cili është një ftohës i zakonshëm në anijen kozmike, mund të jetë gërryes për shumë metale.