Aplikacioni “StopCorona”, i pasuksesshëm

Asnjë rast pozitiv me COVID-19 nuk është zbuluar përmes aplikacionit STOPKORONA. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Alsat se anketat epidemiologjike janë treguar me efikase se aplikacioni në fjalë. Gjatë lancimit në muajin prill të aplikacionit STOPKORONA, ishte thënë se që të ishte efektiv, aplikacioni duhej të instalohej nga së paku 250 000 qytetarë. Shifra e regjistruar deri në muajin gusht është disa herë më e ulët.

Ministria e Shëndetësisë
“Deri tani përmes këtij aplikacioni nuk është zbuluar asnjë rast pozitiv me virus korona.
Deri në muajin gusht ky aplikacion është instaluar nga 63 456 qytetarë. Duke pasur parasysh se qëllimi i këtij aplikacioni ishte që të përdorej si mjet shtesë për detektimin e rasteve nga ana e epidemiologëve dhe veçanërisht rekomandohej që të përdorej nga ana e shtetasve të huaj që vizitojnë vendin tonë … deri tani anketat epidemiologjike janë treguar si më efektive.”

Për dallim nga dikasteri i Shëndetësisë, nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, thonë se ky aplikacion ka qenë pjesërisht i suksesshëm. Megjithatë, shtojnë se nuk ka dhënë rezultate në qëllimin  parësor për të cilin është krijuar, por thjesht ka ndihmuar në informimin e qytetarëve për masat dhe protokollet.

Ministria për Shoqëri Informatike
“Më shumë ky aplikacion ka ndihmuar në informimin e qytetareve rreth masave, protokolleve dhe mënyrës se mbrojtjes nga Covid19, sesa drejtpërdrejtë alarmimin e qytetareve për izolim nga vatra të mundshme të infeksionit.”

Një nga problemet që u shfaq, vetëm një muaj pasi ky aplikacion u lëshua në përdorim, ishte dhënia e informacioneve të rrejshme nga ana e qytetarëve. Për të bindur qytetarët për dobitë e këtij aplikacionin u angazhuan edhe mjekët amë, megjithatë shumë hezitonin për shkak të sigurisë së të dhënave personale. Ky aplikacion supozohet që përmes GPS-së do të identifikoj të infektuarit 2 metra në afërsinë tonë.
Me të shpërthyer pandemia, shumë shtete krijuan aplikacione të tilla. Në Gjermani 20% e popullsisë, apo mbi 17 milion e instaluan detektuesin e të infektuarve. Në Indi një aplikacion i ngjashëm u shkarkua nga 100 milon banorë kurse në SH.B.A nuk ka asnjë aplikacion të vetëm kombëtar. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje në lidhje me teknologjinë, efektivitetin, funksionalitetin e aplikacioneve të tilla.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button