SHBA kërkon ndryshime kushtetuese, BE-ja presion për zgjedhje të rregullta
SHBA kërkon ndryshime kushtetuese, BE-ja presion për zgjedhje të rregullta

Gazetar: Lluka Andreev
Siguria në Evropë, konkurrenca e ekonomive, tranzicioni i energjisë dhe sundimi i ligjit janë prioritetet e presidencës suedeze të BE-së, deri në qershor të këtij viti. Ambasadori i Suedisë në vend, Larson Jain, theksoi para Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane se zgjerimi i Unionit nuk do të lihet jashtë, por kërkoi reforma.
“Reformat në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe sistemin gjyqësor, si dhe një angazhim i fortë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, janë çelësi për të ecur përpara drejt integrimit evropian”, tha Ami Larsson Jain – Ambasador i Suedisë.
Ambasadori evropian David Gir kërkoi që procesi i reformës të bëhet projekt kombëtar dhe të përfshihen të gjitha institucionet dhe partitë politike.
“Koha nga tani deri në zgjedhjet e vitit 2024, duhet të përdoret për të bërë pikërisht këtë, për të shtyrë përpara ato reforma shumë të nevojshme, që ne të gjithë e dimë se cilat janë dhe çfarë duhet bërë”, deklaroi David Gir- Ambasador Evropian.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës kanë vijuar të bindin njëri-tjetrin për ndryshimet kushtetuese, të cilat nëse nuk miratohen, pengojnë hapjen e klasterëve negociues.
“Kemi mjaft kohë dhe hapësirë për të përfunduar me sukses ndryshimet kushtetuese, për të ruajtur dinamikën e procesit të negociatave dhe për të shmangur një veto të re, këtë herë nga vetë ne, pritje të sërishme dhe duke e vënë shtetin në një qorrsokak dhe pasiguri”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
“Mendoj se duhet respektuar mendimi i shumicës, mbi të gjitha i popullit maqedonas, sepse çështjet që kanë të bëjnë me Bullgarinë ndikojnë drejtpërdrejt në pjesën e vetëvendosjes së popullit maqedonas, ku ka gjëra që populli thjesht mendon se nuk duhet të pranohen”, u shpreh Aleksandar Nikolovski – VMRO-DPMNE.
Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, tha se funksionarët e zgjedhur duhet të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre, dhe të bëjnë ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë një lëvizje më të shpejtë në rrugën evropiane. /Alsat.mk