Me vendim të Qeverisë ulen çmimet e disa fruta-perimeve

Me vendim të Qeverisë ulen çmimet e disa fruta-perimeve

Gazetar: Adnan Qaili

Nga e mërkura deri në fund të prillit do të ngrijnë çmimet e 11 fruta-perimeve. Me vendim të Qeverisë nga 5 prilli domatet, trangujt, qepët, lulelakra, specat, fasulet, thjerrëzat, bananet, limonët, portokalli dhe mandarinat me çmime më të ulëta do të zbatohen si në markete ashtu edhe në tregje. Por kjo masë nuk specifikon klasën e produkteve dhe nuk i obligon prodhuesit e tregtarët për sasinë e shitur.

Vendimi Qeverisë për fruta-perimet
“Domatet e freskëta do të kushtojnë maksimumi 70 denarë, trangujt 75, qepa 60, lulelakra 70, specat nuk duhet të kalojnë 90 denarë, fasulja 75, thjerrëzat 110, bananet 70, portokalli 55, mandarinat 60 dhe limon 55 denarë për kilogram.”

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se nga maji kur në treg do të plasohen produktet vendore do të ketë çmime edhe më të ulëta, meqë kjo masë u mor vetëm për 25 ditë për shkak të dy festave fetare në vend.

“E dimë se ka prodhues të caktuar dhe importues në vendin tonë, të cilët mbulojnë mbi 70-80% të tregut në artikuj të caktuar, andaj në koordinim do veprojmë si nga Inspektorati dhe Komisioni për mbrojtje të konkurrencës”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Meqë prodhimet vendore akoma nuk janë në treg, shumica e fruta-perimeve vijnë nga Shqipëria dhe Greqia. Analizat e importit në dogana rezultuan se disa nga këto produkte, në muajt e kaluar u shitën deri në 250% më shtrenjtë. Inspektorati i Tregut duhet të kontrollojë zbatimin e masës së ngrirjes së çmimeve. Por, shitësit nëpër pazare janë të regjistruar si tregtar-individual dhe nuk japin kuponë fiskal, edhe aq më të pakontrolluara janë sasitë refuz. Kreu i Inspektoratit të Tregut tha se deri më tani janë kryer mbi 1,800 kontrolle për të gjitha masat e ngrirjes së çmimeve. Sipas Goran Trajkovskit, janë shqiptuar 20 gjoba për kundërvajtje me mbi 2,5 milionë denarë. Autoritetet kërkojnë denoncime edhe të qytetarëve.

“Inspektorati i Tregut me miratimin e vendimit më të ri për ngrirje të çmimeve të fruta-perimeve do të veproj në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Ministrinë e Brendshme. Në aksion të përbashkët do t’i kryej këto mbikëqyrje nëpër pazare. E mendoni me Polici? Me të gjitha institucionet e tjera kompetente nëse nuk kanë veprimtari të regjistruar do të ketë sanksione”, tha Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të tregut.

Në prag të festës së Pashkëve dhe të Bajramit është marrë vendimi për ngrirjen e çmimeve të vezëve, orizit dhe artikujve higjienikë. Paraprakisht, makaronat dhe produktet e qumështit janë ngrirë për 15 dhe 10 për qind, ndërsa buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë prej 450 gramë është ulur në 33 denarë. Shoqatat e konsumatorëve bëjnë thirrje që këto masa të vazhdohen edhe pas skadimit të vendimeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button