Denver Nagets, për herë të parë do të luajë në finalen e madhe të NBA-s

Skuadra e Denver Nagetsit u shpall kampione në Konferencën e Perëndimit në NBA, pas fitores në frymën e fundit 113-111 ndaj Los Anxhelos Lejkers, në ndeshjen e katërt finale. Denveri fitoi kështu 4-0 serinë e ndeshjeve, duke fituar titullin e parë në histori në Konferencën e Perëndimit në NBA.

Për pasojë, Denveri do të luajë për herë të parë në 47 vite histori për titullin kampion në NBA, me fituesin që do të dalë nga sfida mes Majamit dhe Bostonit (3-0 për Miami).

Edhe një herë ai që bëri diferencën në fushë ishte Nikolla Jokiç, autor i një “triple double”, me 30 pikë, 14 rebound e 13 asist. Ndeshja ishte e hapur deri në fund, më e mirë për Lejkers në pjesën e parë, ku shkëlqeu LeBron James, autor i 40 pikëve e 10 kërcimeve. Entoni Dejvis e mbylli me 21 pikë e 14 kërcime, por që s’mjaftuan për të fituar. Përveç Jokiçit, për Denverin u dalluan edhe Marrej me 25 pikë e Gordon me 22 pikë.

Jokiç u shpall edhe MVP i këtyre finaleve, duke vendosur edhe rekordin e 8 “triple double” në finalet “play off”. Rekordi ishte me 7 “triple double”, vendosur në vitin 1967 nga Uilt Çemberlejn. Tashmë Denveri do të synojë titullin e parë në histori, ndërsa për Lejkersin, ky ishte maksimumi për një sezon që nisi keq, por që u përmirësua me kalimin e kohës.

 NBA-Konf.Lindje, Finale

Boston – Majami, (0-3)

NBA-Konf.Perëndim, Finale

DENVERI – L.A. Lejkers, 113-111 (4-0)

LEXO EDHE:

Back to top button