Drejtori i Qendrës Urgjente i shmanget përgjegjësisë për ashensorët
Drejtori i Qendrës Urgjente i shmanget përgjegjësisë për ashensorët

Gazetare: Vjollca Aliti
Drejtori i Qendrës Urgjente në Shkup sërish nuk përgjigjet se përse ashensorët e njëjtë të kësaj qendre shfrytëzohen si për pacientët e sapo operuar, ashtu dhe për bartjen e materialeve mjekësore, bartjen e kufomave, familjarëve të pacientëve si dhe mjekëve e personave të tjerë civilë, gjë që rrezikon përhapjen e infeksioneve të ndryshme, përfshirë dhe ato intrahospiitale të cilat janë vdekjeprurëse. Në një deklaratë për mediat Trajanovski tha se subjekti juridik “Shërbimet e përbashkëta” është përgjegjës për ashensorët, duke iu shmangur në këtë mënyrë përgjegjësisë për situatën e krijuar.
“Ashensorët i servison dhe mirëmban firma “Shërbimet e përbashkëta”, patëm mbledhje për këtë çështje. Duhet te to të paraqitemi, kemi kontakte me to kemi dhe mbledhje shpesh me to, në veçanti kur kemi prishje të ashensorëve. Të gjitha furnizimet që kanë të bëjnë me ashensorët i bëjnë “ shërbimet e përbashkëta” ajo nuk është nën përgjegjësinë tonë”, deklaroi Aleksandar Trajanovski, Drejtor i Qendrës Urgjente, Shkup.
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti përsëriti se subjekti i cili është përgjegjës për mirëmbajtjen e Klinikave shtetërore në Shkup është i pa nevojshëm dhe se personat që udhëheqin me të, do të shkarkohen së shpejti.
“Unë absolutisht nuk i dua “shërbimet e përbashkëta”. Sepse e kanë çuar në humbje këtë subjekt në 20 milion euro dhe nuk e dinë se çfarë punojnë. Ata do të shkarkohen, informacioni është në Qeveri, do shkarkohen. Ka dhe procedura tjera që duhet t’i respektojmë”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër I Shëndetësisë.
ALSAT ditë më parë njoftoi mbi rrezikun e përhapjes së infeksioneve intrahospitale si pasojë e mos respektimit të protokolleve për bartjen e pacientëve të sapo operuar si dhe pacientëve të vdekur të cilët ekspozohen në hapësira ku ka frekuentim të lartë të pacientëve të tjerë, familjarëve të tyre si dhe stafit mjekësor. Pavarësisht denoncimeve të ALSAT, udhëheqësit e Qendrës Urgjente pa përgjigje mbi këtë problematikë. /Alsat.mk