Eskobar e Lajçak kërkuan qetësimin e situatës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja
Eskobar e Lajçak kërkuan qetësimin e situatës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarve Llajçak e Eskobar për krerët e shtetit të Kosovës. Ata thanë se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se do të dëgjojnë.
“E vetmja gjë që mund të them është se erdha këtu si një përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Ne dëshirojmë që Kosova të arrijë të gjitha aspiratat e saj. Ne jemi mbështetësi më i madh i sigurisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit tuaj territorial. Gjithçka që kërkoj është që të dëgjohemi, kërkesa jonë të dëgjohet”, u shpreh Gabriell Eskobar, I dërguar i SHBA-së.
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Mirosllav Lajçak, i dërguar i BE-së.
Gjatë takimit kryeministri i Kosovës Kurti kërkoi që Brukseli dhe Uashingtoni të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.
“Rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Vetëm sundimi i ligjit mund t’u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka thënë emisarëve se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
“Presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Eskobar e Lajçak takuan edhe krerët e opozitës kosovare. Kreu i PDK-së Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku thanë se qeverisa s’ka plan për shtensionimin e situatës në veri, andaj po rrezikohen aleancat me aleatët ndërkombëtar. Eskobar e Lajçak takuan gjithashtu përfaqësuesit e listës serbe ndërsa sonte në Beograd do të takojnë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. /Alsat.mk