Kovaçevski i mahnitur me aftësinë e SHBA-ve në rastin Merko
Kovaçevski i mahnitur me aftësinë e SHBA-ve në rastin Merko

Gazetar: Adrian Kerimi
Konstatimet nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për kryetarin e Strugës, Ramiz Merko nuk janë nën llupën e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kreu i këtij institucioni, Islam Abazi i pyetur nëse organi me të cilin udhëheq ai do të ndërmerr hapa në përputhje me konstatimet nga vendimi, na tha shkurt se institucioni i tij nuk ka kompetencë për të komentuar vendimin DASH. Abazi na rekomandoi që për të ditur nëse ndaj Merkos ka pasur ose ka lëndë të formuar duhet t’i drejtohemi personit të autorizuar për marrëdhënie me publikun. Ndërkohë Këshilli Gjyqësor ka njoftuar formimin e një Komisioni që do të kryej kontroll në Gjykatën Themelore të Strugës duke u bazuar në konstatimet e DASH-it.
Sipas kryeministrit Kovaçevski mbetet e çuditshme se si Shtetet e Bashkuara të cilat janë mijëra kilometra larg kanë arritur të konstatojnë shkelje ligjore, ndërsa institucionet tona kanë qëndruar duarkryq. Kovacevski thotë se kjo dëshmon që gjyqësori ka nevojë për “remont” të përgjithshëm.
“Ta pyesin veten se si është e mundur që SHBA-të kanë arritur deri tek ato informacione edhe pse janë disa mijëra kilometra larg, ndërsa institucionet tona nuk kanë arritur t’i sigurojnë ato informacione për vite me radhë. Kjo vërteton se sistemit tonë hetues dhe gjyqësor i nevojitet “remont” i përgjithshëm”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Në mars të këtij viti, pas rekomandimit të Komisionit për luftë kundër korrupsionit që Prokuroria për krim të organizuar të ndjek penalisht kreun e Strugës, ky organ u prononcua duke vlerësuar se asnjë nga provat mbi të cilat bazohet anti-korrupsioni nuk përbejnë bazë për ndjekje penale. Në mesin e provave të rekomanduara përfshihej edhe Raporti përfundimtar i Revizorit të autorizuar shtetëror për llogarinë e buxhetit bazë të Komunës së Strugës për vitin 2018 në të cilin është konstatuar jo transparenca me prokurimet publike. /alsat.mk