Gazetare: Fatlume Dervishi
Kryeministri Dimitar Kovaçevski hedh përgjegjësinë te këshilltarët komunal për mënyrën se si do të veprojnë me rastin e futjes së Ramiz Merkos në listën e zezë amerikane. Sipas tij, duhet të ketë përgjegjësi por kryeministri nuk tha nëse ajo përgjegjësi do të iniciohet nga qeveria.
“Sa i përket aspektit juridik dhe etik lidhur me mandatin e kryetarit të Strugës, ai do të duhet të përgjigjet për këtë, sepse ai është zyrtar i zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta. Sa i përket dinamikës së grupeve të këshilltarëve në Komunën e Strugës, të gjithë duhet të mendojnë mirë se si do të vazhdojnë më tej, duke marrë parasysh akuzat që janë bërë, sepse të gjithë janë të zgjedhur nga qytetarët për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e qytetarëve. Të mos harrojmë, ai ka qenë kryetar komune në disa mandate dhe në ato mandate ka bashkëpunuar me të gjitha grupet e këshilltarëve”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeminsitër.
Të gjitha partitë tjetra kërkuan dorëheqjen e Merkos. VMRO-DPMNE-ja beson se qeveria ka kompetenca për të ndërmarrë hapa dhe kërkon nga BDI-ja të pastrohet nga kuadrot kriminele.
“VMRO-DPMNE-ja më gjatë kohë alarmon për keqpërdorim të mjeteve të buxhetit dhe për këtë japim edhe argumente konkrete. Njëkohësisht me vite aludojmë për partizim të gjyqësorit që bëhet nga BDI-ja dhe LSDM-ja. DUI-zmi i gjyqësorit solli që kuadrot e BDI-së të mund të kenë ndikim në procedura gjë që theksohet edhe në komunikatën e Departamentit të Shtetit. BDI-ja duhet të shkojë në pension politik. Ajo parti duhet të pastrohet nga kuadrot kriminel dhe të korruptuar”, tha Mirçe Axhioski, VMRO-DPMNE.
Dorëheqjen e Merkos e kërkuan edhe Besa e Alternativa.
“Ne kemi denoncuar në vazhdimësi krimin dhe korrupsionin të cilin e bëjnë funksionarët e BDI-së prandaj në këtë rast nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm të themi që nëse ka mbetur pak dinjitet nga ana njerëz, pak dinjitet te ajo parti politike duhet të bëjnë të pamundurën që sot Ramiz Merko të japë dorëheqje nga aty ku është dhe ku e ka shfrytëzuar për krim dhe korrupsion dhe të kemi një përfaqësues tjetër që do t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve struganë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Besës.
“Ky është skandal i paparë deri më tash në skenën tonë politike. Megjithatë, kjo për neve nuk është as risi e as befasi. Ramiz Merko është vetëm një fije në rrjetin e madh të merimangës së korrupsionit që për 20 vjetët e kaluara e ka krijuar BDI-ja. Natyrisht, është për t’u habitur se pse hesht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike. A kaq shumë vlen pushteti që ata njerëz duhet t’u nënshtrohen kushtëzimeve e zhvatjes së çiftit Ahmeti-Grubi?”, deklatoi Zeqirja Ibrahimi, Alternativa.
Vendimin e Departamentit të Shtetit e përshëndeti edhe Aleanca për Shqiptarët.
“Korrupsioni duhet të ketë pasoja, por shpalljet non grata nuk mjaftojnë. Ramiz Merko duhet të japë dorëheqje të menjëhershme, ndërsa BDI duhet të distancohet nga anëtari i saj i Kryesisë. Prokuroria për ndjekje të korrupsionit duhet të hapë lëndë ndaj Merkos për të garantuar llogaridhënie të plotë në lidhje me akuzat e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe për të ndarë drejtësinë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Reagime të shumta që nga dita e djeshme ka pasur edhe nga aktivistë dhe organizata civile në rrjetet sociale. /Alsat.mk








