Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave, Avokati i Popullit ka theksuar rëndësinë e sigurimit të komunikimit të qasshëm për personat e shurdhër dhe personat me dëmtim të dëgjimit, duke vlerësuar se qasja e barabartë në komunikim është parakusht për realizimin e të drejtave të tyre dhe pjesëmarrjen e pavarur në shoqëri.
Sipas Avokatit të Popullit, gjuha e shenjave nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe pjesë e rëndësishme e qasshmërisë dhe realizimit të të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, sigurimi i interpretimit dhe mbështetjes në komunikim, sipas tij nuk duhet të varet nga projekte të përkohshme apo nga mundësia që personi të sigurojë një ndërmjetësues.
Avokati i Popullit ka ndërmarrë aktivitete konkrete për avancimin e qasshmërisë për personat e shurdhër dhe me dëmtim të dëgjimit.
“Në Sugjerimin drejtuar Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Avokati i Popullit theksoi nevojën për vendosjen e një zgjidhjeje të përhershme, të qëndrueshme dhe sistematike për mbështetjen në komunikim, përmes një Qendre thirrjesh të qasshme ose një shërbimi tjetër përkatës me shërbime nga interpretues të certifikuar të gjuhës së shenjave. Veçanërisht është theksuar nevoja që shërbimi të jetë i qasshëm në të gjithë territorin e shtetit dhe të mos varet nga financimi me kohëzgjatje të kufizuar, të bazuar në projekte”, theksoi Avokati i Popullit në rrjetin Facebook.
Gjithashtu, Avokati i Popullit i drejtoi Qendrës për Menaxhim me Kriza një Sugjerim për sigurimin e qasjes së barabartë dhe të papenguar të personave të shurdhër dhe me dëmtim të dëgjimit në numrin 112 dhe në shërbimet për ndihmë emergjente, duke pasur parasysh nevojën për një mekanizëm të qasshëm komunikimi në situata kur rrezikohet jeta, shëndeti ose siguria.
Me këto veprime, Avokati i Popullit thekson se komunikimi i qasshëm është pjesë e pandashme e realizimit të të drejtave të njeriut dhe parakusht për pjesëmarrjen e barabartë të personave të shurdhër dhe me dëmtim të dëgjimit në shoqëri.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave, institucioni rikujton se krijimi i një shoqërie të qasshme nënkupton eliminimin e barrierave në komunikim dhe sigurimin e kushteve që çdo person të mund t’i përdorë në kohë dhe në mënyrë të pavarur shërbimet dhe institucionet për të cilat ka nevojë./Alsat.mk.








