Belgjika në alarm: Përballet me periudhën më të thatë në dekada, rrezikohet furnizimi me ujë

Belgjika po përballet me një nga periudhat e saj më të thata ndonjëherë, ku mungesa e vazhdueshme e reshjeve ka ngritur shqetësime serioze për furnizimin me ujë të pijshëm, veçanërisht në kryeqytetin Bruksel, sipas Institutit Mbretëror Meteorologjik (KMI).

Sipas meteorologut të KMI-së, Pascal Mormal, rreth 80 për qind e territorit të vendit është prekur nga një deficit i konsiderueshëm reshjesh. Situata paraqitet veçanërisht kritike në Belgjikën jugore, ndërsa disa zona të Flandrës Perëndimore dhe Limburgut paraqesin shifra më pranë mesatareve normale.

Në Uccle, komuna e Brukselit ku KMI mban statistika afatgjata të vëzhgimit, parashikohen vetëm rreth 21 deri në 22 milimetra shi për këtë muaj, krahasuar me mesataren e zakonshme mujore prej rreth 65 milimetrash. Sipas parashikimeve, reshje domethënëse nuk priten deri në muajin nëntor.

Thatësira e zgjatur ka filluar të japë efektet e para në rrjetin e shpërndarjes së ujit:

Kompania e ujësjellësit Vivaqua mund të detyrohet të ulë më tej kapacitetin e nxjerrjes së ujit në impiantin e Profondeville, përgjatë lumit Meuse – një impiant që përbën rreth 30 për qind të furnizimit të përgjithshëm të Vivaqua-s.

Masat e kursimit dhe kufizimet në konsumin e ujit të pijshëm janë vendosur tashmë në 17 komuna të Rajonit të Wallonisë. Në Libramont (provinca e Luksemburgut) janë vënë në funksion kamionë cisternë për të garantuar furnizimin e banorëve.

Autoritetet mbajnë në fuqi alarmin e verdhë për thatësirë, duke u bërë thirrje qytetarëve për vigjilencë të shtuar.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse do të ketë rreshje të dendura shiu në muajt nëntor dhe dhjetor, ato mund të mos mjaftojnë menjëherë. Për shkak të tokës së tharë, një pjesë e madhe e ujit rrezikon të rrjedhë sipërfaqësisht në vend që të depërtojë për të rimbushur rezervat nëntokësore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button