Lotaria/Prokurorët prezantuan 231 provat kundër Artan Grubit, Përparim Bajramit dhe 6 personave tjerë

Gazetar: Suad Bajrami

Prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski dy orë lexuan titujt e 231 provave materiale kundër ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, por edhe gjashtë të akuzuarve të tjerë për keqpërdorimin e mbi 9,7 milionë eurove. Në mesin e provave kishte dokumente të ndryshme nga vendimet e miratuara nëpër seanca të ndryshme në Lotarinë Shtetërore, por edhe në Qeveri. Pjesë e provave ishin edhe planet financiare të institucioneve, procesverbale, por edhe dokumente që lidhen me procedurën e furnizimit të aparateve VLT.

“Duke e pasur parasysh natyrën e veprës penale që u ngarkohet të akuzuarve, sot u prezantuan prova në drejtim të kompetencave të tyre, gjegjësisht prova me të cilat Prokuroria do të tentojë ta dëshmojë se ata i kanë tejkaluar autorizimet e tyre. Më tej, u prezantuan prova lidhur me cilësinë e tyre në momentin e kryerjes së veprave dhe prova që kanë të bëjnë me atë se në çfarë mënyre janë miratuar vendimet nga ana e organeve drejtuese të Shoqërisë dhe në çfarë mënyre janë furnizuar aparatet dhe në çfarë mënyre janë paguar”, tha prokurori Daniel Kocev, Prokuror.

Krahas provave materiale, Prokuroria ka paralajmëruar edhe 7 dëshmitarë, megjithatë tani për tani nuk zbulohet identiteti i tyre.

“Do ju lus në interes të procedurës, të mos i zbulojmë. Gjithsesi do të jeni të pranishëm në çdo dëshmitar se si do të marrin pjesë, si do të japin deklarata. Supozoj do të merrni më tej deklarata”, tha prokurori Aleksndar Davçevski, Prokuror.

Gjatë seancës së sotme, Gurbi kishte vërejtje për provat që lidheshin me vendimin e Qeverisë, megjithatë gjyqtarja i tha se do t’i vijë koha për ta treguar teorinë e tij për rastin.

Avokati i të akuzuarit Bojan Janev, Jordan Apostollski tha se provat e sotme, dëshmojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm.

“Fillimisht pas prezantimit të provave, po përforcohet teza jonë se akuza është e dobët, e paqartë dhe kundërthënëse. Prej provave që i pamë sot, del se të akuzuarit jo vetëm që nuk i kanë kryer veprat të cilat u ngarkohen, por për kundrazi. Ata kanë vepruar sipas instruksioneve të Qeverisë, me pajtueshmëri paraprake nga Qeveria dhe vetëm e kanë mbrojtur interesin shtetëror që ka qenë në kompetencë si anëtarë të Bordit Mbikëqyrës”, deklaroi Jordan Apostollski, Avokat i Bojan Janev.

Gjykimi do të vazhdojë më 30 shtator kur pritet që mbrojtja t’i prezantojë provat e tyre. Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button