Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mos hapë procedurë ndaj iniciativës të “Së Majtës” për ndarjen e buxhetit për fushatë zgjedhore. Kushtetuesja konsideron se Kuvendi ka të drejtë të vendosë se në çfarë mënyre do të ndahen paratë për partitë politike për fushatë.
Votat e gjykatësve kanë qenë 5 me 3 ndërsa qëndrimi i tyre është se për çështje të tilla ka pasur aktvendime të njëjta edhe në të kaluarën. Me iniciativën e Së Majtës para Kushtetueses, u kontestuan disa pjesë nga Kodi Zgjedhor me arsyetimin se rregullat për ndarje të buxhetit, mundësojnë trajtim të privilegjuar të katër partive më të mëdha.
Kërkesa e së Majtës është se Kodi Zgjedhor duhet të sigurojë trajtim të barabartë të të gjitha partive politike pa dallim nëse janë pjesë e Parlamentit ose jo./Alsat.mk








