​Familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Takimi me Haxhiun pas vendimit të Kuvendit

Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kërkojnë që institucionet e Kosovës të vendosin më shpejt për hapat e tyre ndaj Dhomave të Specializuara ndërsa lanë të kuptohet se nuk do të takohen me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun derisa Kuvendi të marrë ndonjë vendim në raport me Gjykatën e Hagës.

Qëndrimi u bë publik përmes një letre të postuar në Facebook nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.

Familjet u bëjnë thirrje të zgjedhurve për përgjegjësi institucionale dhe qytetarëve për unitet.

“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet në letër.

Familjet shprehin mirënjohje për mbështetjen dhe solidaritetin e qytetarëve gjatë procesit gjyqësor në Hagë. Ato thonë se e vlerësojnë ftesën e Haxhiut për takim, por duan të shmangin çdo keqkuptim për ndikimin e familjarëve në vendimmarrjen institucionale.

“Presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në fund të letrës.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj 4 ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Familja e këtij të fundit nuk është pjesë e vendimit të tri të tjerave për të mos u takuar me Haxhiun, derisa të ketë një vendim nga Kuvendi në lidhje me zhvillimet më të reja që lidhen me aktgjykimin dënues të Speciales, e cila, më 16 shtator, e dënoi këtë katërshe të UCK-së me 81 vjet burgim në total./Kosovapress.

LEXO EDHE:

Back to top button