Sudan, konflikti çon në katastrofë humanitare
Sudan, konflikti çon në katastrofë humanitare

Zyrtari më i lartë humanitar brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, shprehu shqetësimin për dhunën e shtuar në Sudan dhe tha se vazhdimi i këtij konflikti mund ta çojë të gjithë rajonin në “katastrofë humanitare”. “Ky konflikt – si dhe uria, sëmundjet dhe shpërngulja të shkaktuara nga ai – tani kërcënojnë ta shkatërrojnë të gjithë vendin”, tha Griffiths. “Qindra mijëra fëmijë janë tejet të kequshqyer dhe në rrezik të menjëhershëm nga vdekja nga uria nëse nuk trajtohen”, shtoi ai. Sipas një raporti të publikuar nga organizata Save the Children, rreth 500 fëmijë kanë vdekur nga uria në Sudan –përfshirë dhjetëra foshnje në një jetimore të drejtuar nga qeveria në kryeqytetin Kartum – që nga prilli, kur shpërtheu lufta në vend. Lufta në Sudan shpërtheu më 15 prill pasi disa muajsh me tensione mes ushtrisë dhe forcës rivale paraushtarake. Konflikti e ka kthyer Kartumin dhe zonat e tjera urbane në fushëbeteja. Shumë banorë jetojnë pa ujë dhe energji elektrike dhe sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit pothuajse është shembur. /Alsat.mk