Ursula von der Leyen: Ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për anëtarësim në BE-në
Ursula von der Leyen: Ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për anëtarësim në BE-në

Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet nga ndryshimet kushtetuese, deklaroi sot në Shkup Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ndryshimet kushtetuese janë një hap i domosdoshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ajo çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut është mbresëlënëse andaj vërtetë dëshiroj që Maqedonia e Veriut të vazhdoj të lëviz përpara me vendosmëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ajo tha se “dritarja e mundësive është e hapur” andaj shpreson se të gjitha partitë do të shfrytëzojnë momentin për miratimin e vendimeve të vështira.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, mos përfshirjen në agjendën e takimeve të kryetarit të VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, nga partia e të cilit varen ndryshimet kushtetuese, e arsyetoi me atë se në vizitat që bënë jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por dhe në vendet tjera përfshihen vetëm president dhe kryeministra të shteteve.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ndërkohë se tha se beson se partitë që sipas tij “historikisht kanë qenë kundër integrimit, më në fund do të kenë parasysh interesin shtetëror dhe të ardhmen evropian të qytetarëve”.
“Ne kemi një mundësi të papërsëritshme që të sigurojmë të ardhme evropiane për shtetin me miratimin e vendimeve të nevojshme në Kuvend. Unë, shpresoj se ata të cilët gjatë gjithë historisë ishin kundër integrimit evropian për herë të parë në veprimin e tyre politik do të dëshmojnë se janë për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, ka deklaruar Kovaçevski.
Ai tha se shpreson se pas 17 vjet pritjeje Maqedonia e Veriut do të nis bisedimet me BE-në dhe se deri në vitin 2030 do të arrihet të anëtarësohemi.
Kryetarja e Komisionit Evropian në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka prezantuar edhe Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor. Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.
“Plani për zhvillim do të nxis ekonominë e juaj dhe më e rëndësishme është se do të krijoj vende të reja të punës dhe njëkohësisht do të ju mbështes në rrugën e juaj drejt anëtarësimit në BE.
Besoj se kjo është një ofertë e vërtetë në kohë të vërtetë. Plani ka potencial që të shkëpus ekonominë e juaj për një dekadë dhe ky është qëllimi ndërsa do të luaj një rol të rëndësishëm në rrugën e juaj të integrimit”, ka deklaruar Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut ajo përmendi nevojën për reforma të thella në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratën publike e në sfera tjera.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se institucionet do të bëjnë gjitha për të përmbushur kriteret pasi plani sipas tij “ plani paraqet shtytje për nxitje për zhvillimin ekonomik, hapjen e tregut evropian për prodhimet maqedonase, uljen e shpenzimeve për transporti, uljen e doganave, mundësi të reja në sektorin e energjetikës, por edhe në kualifikimin e kuadrit në më shumë sfera.