Tensione në Kuvendin e Shqipërisë
Tensione në Kuvendin e Shqipërisë

Xhesika Salahi
Tensione në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. Tetë deputetët opozitar të përjashtuar nga sekretariati i etikës në seancën e fundit plenare, nuk janë lejuar të hyjnë në Kuvend. Deputetët janë ndaluar nga Garda e Republikës, ndërkohë që sot ishte parashikuar mbajtja e 5 Komisioneve Parlamentare. Megjithatë, deputetët kanë hyrë duke kaluar kangjellat dhe dritaret e Kuvendit, duke bllokuar punimet e komisionit të ligjeve. Si pasojë, mbledhjet e komisioneve janë anuluar, dhe janë mbajtur online disa orë më vonë. Në të njëjtën kohë, ish kryeministri Sali Berisha ka refuzuar përsëri të paraqitet në gjykatë për rastin “Partizani”. Ai ka dhënë një prononcim për mediat nga dritarja e Kryesisë së Kuvendit.
“Kurrë ndonjëherë në historinë e një parlamenti, deputetët nuk janë ndaluar, nuk janë ndaluar dot kurrë, përsa kohë kanë qenë deputetë që marrin pjesë në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar. Frika dhe tmerri i Edi Ramës, bënë që ai të urdhërojë Lindën e tij në aktet më të turpshme, më antiligjore, më antikushtetuese”, tha Sali Berisha, ish Kryeministër.
Berisha, ka bërë me dije se asnjë seancë nuk do të jetë normale, derisa të plotësohen kërkesat e tyre, konkretisht: mospërfshirja e PS në punët e brendshme të grupit të PD, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, si dhe zëvendësimi i anëtarëve dhe bashkë kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. /Alsat.mk