Guardiola në telashe, humb dy mbrojtësit kyç para 4 sfidave kryesore

Mbrojtësi i Man. Sitit dhe Anglisë, Xhon Stouns, është dëmtuar në ndeshjen që kampionët e Europës luajtën dhe fituan me shifrat 3-0 ndaj Jang Bojsit. Trajneri Pep Guardiola konfirmoi dëmtimin e lojtarit, duke shtuar se ai do të mungojë për pak kohë. Stouns, i cili e filloi këtë sezon me një lëndim në shpinë dhe humbi shtatë ndeshjet e para të sezonit. Ndërsa ditë më parë, la fushën e lojës në fund të pjesës së parë për shkak të një problemi muskulor. Përveç Stouns, u dëmtua edhe Manuel Akanxhi, që lëndoi shpinën në nxehmje.
“Akanxhi kishte një problem në shpinë, ishte bllokuar dhe nuk e di se çfarë ndodhi, por nuk luante dot. Ishte një bllokim në shpinë, ai po stërvitej dhe pati një bllokim. Kur ndodh kjo duket sikur je 75 vjeç dhe nuk lëviz dot.
Stouns ndjeu dëmtimin e tij përsëri. Më vjen shumë keq për të sepse ai është jashtëzakonisht profesionist dhe i përkushtuar. Është një humbje e madhe për ne. Xhon është kaq i rëndësishëm për atë që bën, por ai do të rikuperohet dhe sezoni është gjatë dhe ai do të kthehet më i forte. Mendoj se Stouns do të mungojë pak më gjatë, pasi është një dëmtim muskulor kështu që ai do të jetë jashtë terrenit për disa kohë. Është një lajm i keq për ne”, tha trajneri spanjoll.
Man. Siti do të luajë ndaj Totenhamit, Liverpullit, Çellsit dhe Aston Villa-s, në katër ndeshjet e radhës.