Çfarë e shkakton rënien e flokëve në vjeshtë?
Ajri i ftohtë dhe i thatë që karakterizon muajt e vjeshtës dhe të dimrit e than skalpin e kokës duke e zhveshur atë nga lagështia dhe vajrat natyrale, duke shkaktuar thyerje dhe rënie të flokëve.

Përveç kësaj, temperaturat e ulëta dëmtojnë kutikulat, mbulesën mbrojtëse rreth flokëve.
“Flokët e thatë dhe skalpi i thatë mund të shkaktojnë thyerje, rrallim dhe rënie të flokëve”, tha dermatologu Abbas Kanai për The Sun.
Sipas ekspertëve, skalpi i kokës mund të bëhet më i prirur ndaj dehidrimit për shkak të motit të ftohtë dhe ajrit të thatë të brendshëm. Përveç kësaj, nivelet e ulëta të vitaminës D, e cila absorbohet nga dielli dhe është e nevojshme për rritjen e flokëve, mund ta përkeqësojë problemin.
“Trupi prodhon vitaminë D nga rrezet e diellit direkte, por nga tetori deri në fillim të marsit, ne nuk ekspozohemi aq shumë në diell dhe nuk marrim mjaftueshëm vitaminë D”, shtoi Kanai.
Mungesa e vitaminave A, B, C, D dhe E, si dhe hekuri dhe zinku, shoqërohet gjithashtu me rënien e flokëve.
Stilistët dhe parukierët rekomandojnë shmangien e larjes së tepërt të flokëve në muajt e dimrit. Kur lani flokët, përpiquni të shmangni ujin e nxehtë pasi mund të thajë më tej skalpin e kokës. Është gjithashtu një ide e mirë që ta mbani tharësen sa më larg flokëve.
Një raport i vitit 2001 i botuar në Gazetën Ndërkombëtare të Dermatologjisë sugjeroi se veshja e kapelave të ngushta mund të përshpejtojë humbjen e flokëve. Kapelet e mëndafshit dhe pëlhurat e përzierjes së leshit janë më të buta me flokët dhe reduktojnë fërkimin dhe thyerjen.