BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Shtetet e BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut. Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

Në draftin e konkluzave për Serbinë edhe një herë do t’i bëhet thirrje Beogradit që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë protestës së dhunshme të serbëve lokalë më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës. Serbisë po ashtu i kërkohet që të sjellë para drejtësisë edhe sulmuesit e Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se pa pasur siguri duke dënuar kriminelët dhe siguruar kufijtë, s’mund të këtë normalizim të raporteve me Serbinë.

“Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa pasur siguri. Siguria nënkupton që kriminelët, terroristët nuk duhet të jenë të lirë siç fatkeqësisht po ngjanë në Serbi, nderka kufiri i Kosovës i cili është 381 kilometra vetëm në pjesën me Serbinë duhet të jetë i sigurt andaj edhe ne për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij, po angazhohemi me Institucione tona të sigurisë por edhe me partnerët ndërkombëtar”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Gjatë sulmit terrorist më 24 shtator në Banjske u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve me policinë e Kosovës mbetën të vrarë edhe tre terroristë serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button