E ardhmja e ligjit për masat restriktive, e paqartë

E ardhmja e ligjit për masat restriktive, e paqartë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ndryshimet e paralajmëruara në ligjin për masat restriktive i cili pritej t’i hapë rrugën ndëshkimit edhe në vend të personave që janë në listën e zezë amerikane, duket se nuk do të jenë të shpejta.
Pasi qeveria ka tërhequr propozimin që javë më parë e kishte dorëzuar në Kuvend, duke u arsyetuar me nevojën për ta kaluar përsëri në seancën e radhës në qeveri, tani për Alsat nga ekzekutivi nuk sqarojnë se kur propozimi do të rikthehet në procedurë dhe nëse do të pësojë ndryshime të tjera në qeveri për shkak të mungesës së konsensusit nga disa resorë.

Propozimi është i Ministrisë së Punëve të Jashtme megjithatë konsensusi duhet të vijë edhe nga resorët e tjerë. Ministria e Drejtësisë mbetet në vlerësimin negativ që kishte dhënë për ndryshimet e propozuara në ligj. Sipas këtij resori, zbatimi i masave restriktive vetëm me vendim të qeverisë, ashtu siç parashikohet në propozimin e bërë, nënkupton anashkalim të rendit kushtetues dhe juridik të vendit.

“Plotësimi i propozuar i ligjit me të cilin do të mundej të vendosen, të ndryshohen dhe të ndërpriten masa restriktive në bazë të “akteve juridike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe akteve juridike të Mbretërisë së Bashkuar” ishte në kundërshtim me rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ministria e Drejtësisë vlerëson se vendosja e masave restriktive me vendim të Qeverisë në bazë të dyshimeve nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin e të drejtës penale në përgjithësi”, thonë nga  Ministria e Drejtësisë.

Ekzekutivi ishte detyruar të ndërmarrë hapa i shtyrë nga presioni publik pas shtimit të vazhdueshëm të listës së zezë amerikane me funksionarë, ish funksionarë, biznesmenë dhe të tjerë, për shkak të korrupsionit. Ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler, në intervistë për Televizionin 24, tha se SHBA-së mbështesin nismën.

“Ne mirëpresim secilën përpjekje, secilin ligj dhe secilin aktivitet që mban njerëzit përgjegjës. Dhe nëse aty janë ata të cilët ne i kemi caktuar për korrupsion për ne është më se e mirëpritur iniciativa që lidershipi i këtij vendi, gjykatësit, prokurorët dhe forcat e rendit t’i shikojnë edhe ato raste, sepse njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne nuk kemi autoritet të zbatimit të ligjit këtu dhe as nuk do të ishte e përshtatshme, por mirëpresim iniciativën. Dhe mendoj se, nga ajo që kam dëgjuar nga njerëzit e këtij vendi, edhe ata e mirëpresin. Gjithsesi, miratimi i një ligji vetë në vete nuk do të ndryshojë asgjë. Ai ligj duhet të zbatohet”, theksoi Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti duhet të përgjigjet se përse e tërhoqi ligjin, dhe përse i mbron personat në listën e zezë amerikane.

“Talat Xhaferi e tërhoqi ligjin me të cilin duhet të dënohen të gjithë ata funksionarë dhe biznesmenë të qeverisë LSDM dhe BDI. Çfarë u sqaruan nga BDI-ja partnerëve strategjik për ligjin për listat e zeza? A vlerësohet ndoshta se ky nuk është ligj evropian? Përse frikësohet koalicioni i rrejshëm evropian i LSDM-së dhe BDI-së? Ata duhet të përgjigjen në këto pyetje”, shtoi Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Tërheqjen e ligjit nga procedura e kishte kritikuar edhe opozita shqiptare. Sipas Lëvizjes Besa, kryeministri aktual “Talat Xhaferi ka tërhequr ligjin me të cilin duhet të dënohen të gjithë ata funksionarë dhe biznesmenë të pushtetit LSDM – BDI, të cilët Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur në Listën e Zezë… Po del në shesh se kryeministrin teknik, Talat Xhaferi e paskan vendosur që teknikisht ti shpëtojë kriminelët e konfirmuar edhe nga SHBA”, thonë nga opozitarja shqiptare, Besa.

Së fundmi në listën e zezë amerikane ishin përfshirë kreu i Komunës së Strugës Ramiz Merko, ish zv/kryeministri Koço Angjushev, çifti Samsonenko, biznesmeni Orce Kamçev dhe familjarë të tij, etj. Pothuajse të gjithë vazhdojnë veprimtarinë e tyre në vend, pa u penguar nga institucionet vendase./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button