Vdekja e Navalnit, Rusia refuzon hetimin ndërkombëtarë
Vdekja e Navalnit, Rusia refuzon hetimin ndërkombëtarë

Kremlini refuzon një hetim ndërkombëtar, për vdekjen e figurës së opozitës ruse Aleksej Navalni në një burg në Siberi, pesë ditë më parë në rrethana të pashpjegueshme. Sipas Moskës zyrtare, kërkesat e Brukselit për një hetim të tillë janë të papranueshme. Ndërkohë, autoritetet ruse informuan familjen e Navalnit se do ta mbajnë trupin e tij për 14 ditë të tjera, për të kryer siç thanë teste të caktuara kimike.
“Për ditën e pestë nuk mund ta shoh, nuk ma japin trupin ose nuk më thonë se ku është. Po të drejtohem ty, Vlladimir Putin, vendimi varet vetëm nga ti. Më lër të shoh më në fund djalin tim. Kërkoj që trupi i Alekseit të më jepet, që ta varros njerëzisht”, deklaroi Ljudmila Navalnaja – nëna e Aleksej Navalnit.
Kremlini gjithashtu vuri në dukje se akuzat nga gruaja e Alekseit, Julia Navalnaja, se presidenti rus Vlladimir Putin qëndron pas vdekjes së burrit të saj ishin “boshe dhe të ashpra”. Nga ana tjetër, shefi i politikës së jashtme të BE-së Zhosep Borrell, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar, theksoi se vdekja e papritur dhe tronditëse e Navalnit është një tjetër shenjë e shtypjes sistematike në Rusi.
“BE nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të kërkuar përgjegjësi nga udhëheqja politike dhe autoritetet e Rusisë, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë; dhe do të imponojë pasoja shtesë në veprimet e tyre, përfshirë edhe përmes sanksioneve”, tha Zhosep Borell, eurokomisar i punëve të jashtme.
Sot në mëngjes një numër i madh vendesh evropiane i thirrën ambasadorët e Federatës Ruse, për bisedime në ministritë e tyre të jashtme. Atyre iu përcoll dënimi për vdekjen e Navalnit, por gjithashtu i bënë thirrje Moskës të sqarojë arsyet. Disa prej tyre njoftuan sanksione shtesë kundër Rusisë. Tani për tani, vetëm presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se nuk do t’i bashkohet sanksioneve të tilla të mundshme. Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk u është përgjigjur sanksioneve, as nëse ambasadori rus në Maqedoni, Sergei Bazdnikin, do të thirret në Ministrinë e Jashtme. /Alsat.mk