Ali Ahmeti nuk e shpalosi “lajmin e madh”, ndonëse i paralajmëruar me pompozitet

Ali Ahmeti nuk e shpalosi “lajmin e madh”, ndonëse i paralajmëruar me pompozitet

Gazetar: Adrian Kerimi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot nuk shpalosi lajmin e madh të paralajmëruar nga funksionarët, strukturat dhe militantët e partisë. Kreu i integristëve gjatë javës pritet të dalë me njoftimin se me gjasë do ta propozojë shefin e diplomacisë Bujar Osmani si kandidat për president, i cili miratim duhet të marrë nga organet e partisë. Pavarësisht se u propagandua kandidatura e Ahmetit për president, funksionar të lartë të këtij subjekti deklaruan se Ahmeti nuk do ta pranojë një detyrë të tillë dhe se sipas tyre, misioni i tij është BE-ja dhe jo funksionet politike. Për momentin, Bujar Osmani mbetet emri më i lakuar si kandidati i mundshëm për president nga radhët e BDI-së, ndërsa kundër kandidat të tij deri më tani janë Arben Taravari nga radhët e opozitës shqiptare dhe profesoresha Biljana Vankovska e cila do të ketë mbështetjen e partisë E Majta. Me kandidimin e Osmanit, kandidati konsensual i mbështetur nga BDI-ja dhe LSDM-ja mbetet e kaluar politike, të paktën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ndërkohë BDI është duke punuar për krijimin e Frontit Evropian Shqiptar. Ahmeti së fundi ka zhvilluar takime me kreun e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi, kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arianit Hoxha dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Akoma nuk është konkretizuar marrëveshja e mundshme me krahun e Ziadin Selës në ASH, i cili në kongresin e fundit të thirrur nga ana e tij mori besimin e delegatëve për të qenë kryetar i ASH-së, pavarësisht se ligjërisht në krye të subjektit figuron Arben Taravari. Për herë të parë në pluralizmin politik të vendit, blloku politik shqiptar për shkak të numrit të madh të partive politike të dala në skenë, arritën të ndahen në blloqe pozitë opozitë, ndërsa deri më tani dyja blloqet në asnjë garë zgjedhore nuk kanë qenë bashkë për një kandidat apo platformë të caktuar, përveç në raste të caktuara në zgjedhje lokale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button