VMRO-ja kundërshton idenë që presidenti të zgjedhet nga Kuvendi: Është kthim mbrapa në demokraci
VMRO-ja kundërshton idenë që presidenti të zgjedhet nga Kuvendi: Është kthim mbrapa në demokraci

Gazetar: Adrian Kerimi
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se presidenti duhet të dalë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe jo të zgjidhet në Kuvend. Ideja për një president të tillë sipas opozitës maqedonase është kthim mbrapa në demokraci. Nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski thotë se ideja për president dhe zëvendës president nga Kuvendi është tentim i Ali Ahmetit dhe Grubit për të mbuluar krimin dhe korrupsionin e tyre.
“Presidenti patjetër të dalë nga zgjedhjet sepse aty është kulmi i demokracisë. Kështu veprojnë shtetet demokratike. Çdo tentim për të minuar demokracinë është tentim për ta lënë popullin jashtë vendimmarrjes. Jam i vetëdijshëm se Ali Ahmeti dhe Artan Grubi duan të kenë pushtet të përjetshëm duke ushtruar ndikim partiak ndaj kryeministrit dhe presidentit, por kjo nuk është demokratike dhe është tentim për të mbuluar krimin dhe korrupsionin. VMRO-DPMNE-ja nuk pranon kushte, atë film nuk do ta shohin ndërsa presidente do të jetë Gordana Siljanovska Davkova”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kundër është edhe LSDM-ja si partner aktual i koalicionit qeverisës të BDI-së. Dimitar Kovaçevski tha se në LSDM nuk është diskutuar dhe se deri më 8 maj nga politikanë të ndryshëm qytetarët do të dëgjohen gjepura të ndryshme.
“Deri në këtë moment nuk kemi folur sepse nuk është çështje e diskutimit brenda nesh. Qytetarët do të tregojnë se çfarë duan dhe numri i deputetëve në Kuvend. Tani do të dëgjoni propozime, ide dhe fjalë të ndryshme nga politikanë që janë të përfshirë në proces, por më 8 maj do të vij vendimi dhe sipas numrit të deputetëve do të merren vendimet e duhura”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryetar i LSDM-së.
BDI edhe sot kërkoi mbështetje për ndryshimet kushtetuese përmes të cilave do të ndryshonte sistemin e zgjedhjes së presidentit.
“Kërkojmë përkrahje masive, absolute dhe plebishitare të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për kandidaturën e Bujar Osmanit që të na mundësojë ta ndryshojmë kushtetutën edhe për çështjen e presidentit dhe për amendamentin që buron nga marrëveshja për fqinjësi të mirë. Ky do të jetë qëndrimi i BDI-së edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare”, theksoi Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.
Para BDI-së, idenë për zgjedhjen e presidentit në Kuvend dhe ndarjen e njërës nga tre pozitat kryesore në shtet ti takojë shqiptarëve e shpalosi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai tha se në hapjen e ardhshme të kushtetutës përveç presidentit duhet ndërhyrë edhe me përfshirjen e pakicës bullgare por edhe me abrogimin e përcaktimit 20 për qind për gjuhën shqipe. /Alsat.mk