A do ta lejojë Xhaferi miratimin e ndryshimeve ligjore për pagën në sektorin publik? – Nëse jo, deri në 500 euro u rritet paga e funksionarëve

A do ta lejojë Xhaferi miratimin e ndryshimeve ligjore për pagën në sektorin publik? – Nëse jo, deri në 500 euro u rritet paga e funksionarëve

Gazetar: Adnan Qaili

Pakoja e 7 ligjeve që rregullojnë pagat në sektorin publik të hënën do të dorëzohet në Kuvend nga grupi parlamentar i deputetëve të LSDM-së, shkruan Alsat.

Nga burime brenda partiake thonë se propozimet për ndryshime dhe plotësime në 7 ligje ishte e detyruar të bëhen përmes nismës së deputetëve të socialdemokratëve ngaqë prej muajsh nuk ka pasur konsensus në ekzekutiv për t’u bërë propozimi përmes Qeverisë.

Nga burime të besueshme në LSDM, partneri i koalicionit BDI, ka kontestuar këtë nismë dhe pikërisht kryeministri teknik Talat Xhaferi ka thënë që mos të vihen as në rend të ditës sepse nuk kalojnë.

Për të vërtetuar këto zëra komunikuam më shefin e grupit parlamentar të LSDM-së Martin Kostovskin. Ai nuk pohoi e as nuk mohoi se çfarë është diskutuar në Qeveri, por tha se partia e tij është detyruar të bëj një “by-pass” për të propozuar ligjet në Kuvend me procedurë të shpejtë ngaqë koha më nuk premton.

“Të hënën, me procedurë të shpejtë do të dorëzojmë në Kuvend propozimin për ndryshim dhe plotësim të shtatë ligjeve, të cilat rregullojnë pagat e të përzgjedhurve dhe të emëruarve. Përkatësisht, për uljen e koeficienteve në pagat e funksionarëve në mënyrë që mos të ketë rritje të pagave nga marsi, në përputhje me ligjet aktuale që do tu takojë rritje sipas harmonizimit të pagave, me rritje të pagës minimale”, tha Martin Kostovski, Deputet i LSDM-së.

Nëse nuk do të miratohen këto ndryshime ligjore, me pagën e marsit rritja e pagave të funksionarëve, në varësi të pozicionit në të cilin ndodhen, do të varijojë nga 300-500€ më shumë në muaj.

Me përshtatjen e re të pagave me pagën minimale, presidenti do të marrë rreth 3000 euro neto në muaj, kurse deputetët rreth 2000 euro.

Kjo rritje do të jetë e rregullt çdo vit sepse Gjykata Kushtetuese hoqi bazën fikse, kështu që tani me rritjen e pagës mesatare do të rriten pagat e ministrave, gjykatësve, prokurorëve, kryetarëve të komunave, pra gjithsej 1,260 funksionarëve.

Kjo lloj rritje mund të vijë edhe pasi që vitin e kaluar vetëm pagat e funksionarëve u rritën me 78%, që sipas analistëve është e tepruar.

“Me vetë faktin se dikush merr mbi 2 mijë euro rrogë mujore, ndërsa dikush merr vetëm 300 euro bën që në Maqedoni të kemi një disproporcion të madh në marrjen e pagave në sektorin publik. Nuk është e rastësishme që indikatori i koeficientit na bën me dije se shpërndarja e parasë publike është e pabarabartë. Akoma shumë e madhe është shifra edhe e varfërisë, mbi 21% e popullsisë jeton në varfëri në Maqedoni”, u shpreh Nasir Selimi, Ekspert i ekonomisë.

Përderisa paga minimale nga marsi do të bëhet 22,500 denarë, paga mesatare mujore neto e paguar për punonjës në dhjetor 2023 ishte 39.998 denarë, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Sipas të dhënave në krahasim më një vit më parë shënoi rritje prej 16.4%, por kjo rritje u ndje vetëm në disa sektorë të caktuar.

Autoritetet thonë se në buxhetin e vitit 2024 nuk është paraparë rritja e pagave të funksionarëve, por as ulja e tyre, të cilat u rritën për 78 për qind me heqjen e një neni nga Gjykata Kushtetuese në mars të vitit 2023./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button