Varroset kritiku i Putinit, Alexei Navalny
Varroset kritiku i Putinit, Alexei Navalny

Alexei Navalnyt i është dhënë lamtumira e fundit në shtetin rus.
Ish-kreu i opozitës është varrosur në varrezat Borisovskoye të kryeqytetit rus, Moska, raporton skynews.
Në varreza, në momentet kur arkivoli po hynte në ‘banesën e fundit’, dëgjoheshin thirrjet “Na fal. Nuk do të harrojmë!”.
Theksojmë se mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit 47-vjeçarit, i cili gjatë gjithë jetës luftoi për ardhjen e demokracisë në Rusi.
Ekipi i ish-kritikut të Kremlinit ka njoftuar se vetëm 300 njerëz u lejuan të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar në kishë.
Kujtojmë se ai vdiq në një burg rus në Arktik, ku po vuante dënimin në saje të akuzave të sajuara.
Ndryshe, Navalny i lindur në një fshat në perëndim të Moskës, ai u bë ndoshta kritiku më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.
Aktivizimi i tij politik, duke përfshirë hetime të gjera për korrupsionin e nivelit të lartë dhe kandidimin për të qenë kryebashkiak i Moskës, i dha atij famë dhe shumë besonin se ai përbënte një kërcënim për Putinin.
Ai u sëmur rëndë në vitin 2020 gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë ndërsa në gjendje koma u dërgua për shërim në kryeqytetin gjerman, Berlin.
Mjekët gjermanë konfirmuan se ai ishte helmuar me novichok – një agjent nervor i kohës sovjetike – dhe shërimi i tij zgjati me muaj.
Pavarësisht rrezikut, Navalny zgjodhi të kthehej në Rusi, ku më vonë u arrestua dhe u dënua me akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht dhe mbeti në burgjet ruse deri në vdekje.
Ndryshe, udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, e ka fituar Çmimin Sakharov, një shpërblim prestigjioz që ndahet nga Parlamenti Evropian për mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
❤️🩹 pic.twitter.com/H0CmmIDX6T
— Команда Навального (@teamnavalny) March 1, 2024