Zjarri në Sallën Universale/ Prokuroria ka nisur hetimin për të konstatuar shkaqet

Zjarri në Sallën Universale/ Prokuroria ka nisur hetimin për të konstatuar shkaqet

Gazetar: Suad Bajrami

Një ditë pas zjarrit masiv në Sallën Universale, Prokuroria ka nisur hetimin për të konstatuar shkaqet e zjarrit.

Tre personat të cilët u ndaluan një ditë më parë në Polici, pasi kanë dhënë deklarata janë lënë të lire, shkruan Alsat.

Sipas Prokurorisë lokacioni do të kontrollohet në detaje që të sigurohen të gjitha provat e domosdoshme për konstatimin e shkaqeve.

“Ndodhemi para objektit të sallës universale i cili gjatë ditës së djeshme u kaplua nga zjarri. Nga objekti ka mbetur vetëm konstruksioni prej metali dhe rrënojat. Prokuroria ka nisur hetimet, të cilat duhet t’u japin përgjigje pyetjeve se si shpërtheu zjarri dhe nëse faktori njeri ka qenë shkaktar”, raporton gazetari i Alsat, Suad Bajrami.

Ndërkohë një ditë më parë Inspektorati Shtetëror i Punës ka kryer kontroll të punës së kompanive të angazhuara për rikonstruimin e objektit dhe ka përgatitur procesverbal. Nga ana tjetër partitë politike edhe për këtë rast kanë akuzuar njëra-tjetrën.  VMRO-DPMNE-ja drejton gishtin kah kompania ndërtuese, e cila, sipas opozitës maqedonase është e afërt me kreun e LSDM-së. Shkak i zjarrit, shtojnë nga VMRO-DPMNE, është krimi i LSDM-së.

“A është ndërtuar sipas standardeve apo si gjithçka deri më tani me LSDM-në, çfarëdo që e kanë parë më lirë që të ketë hapësirë për marzhe të mëdha për xhepat e dikujt”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM kanë reaguar duke akuzuar VMRO-DPMNE-në si përgjegjëse për shkatërrimin e Sallës Universale.

“Objektin e kultit dhe simbolin e Shkupit dy vjet e lanë në mëshirën e kohës, të shkatërrohet edhe nga brenda dhe jashtë, madje edhe dorëzimi i rikonstruimit të Sallës Universale ishte problem për Ministrinë e Kulturës”, thonë nga LSDM.

Një ditë më parë zjarri përfshiu kupolën e re të sallës e cila është vendosur vetëm para 10 ditësh. Zjarrfikësve iu deshën dy orë që ta vënë zjarrin në kontroll. Fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur të lënduar.

Rinovimi i Sallës Universale po premtohet mbi 15 vjet, ndërkaq tanimë 9 vjet objekti është i mbyllur. Pushteti ka premtuar se salla, do të jetë gati në vitin 2026./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button